Nga Maringlen ZHIVANI

Sulmuesi shkodran Vildan Kaçubela ka mbyllur aventurën e tij me ekipin e Tërbunit pas afro dy vitesh. Kapiteni i ekipit pukjan ka vendosur për ta ndërprerë bashkëpunimin e tij, pasi do të nisë një eksperiencë të re. Tashmë, ai do t’i bashkohet ekipit të KF Ilirisë së Fushë-Krujës, që drejtohet nga trajneri lezhjan Dritan Smajli.

Kaçubela pritet që në ditët e para të janarit të hedhë edhe firmën në kontratë me ekpin e Ilirisë. 27-vjeçari ka qenë një ndër futbollistët kyç të ekipit të Tërbunit, ku ka patur një bilanc pozitiv të golave të shënuar për këtë skuadër. Më herët, ai ka luajtur edhe me ekipet e Adës dhe Murlanit, teksa tashmë do të nisë një aventurë të re në Fushë-Krujë tek Iliria.

Ndërkohë, Kaçubela duke folur për “Shkodra Sport”, shprehu falënderimet e tij për drejtuesit e Tërbunit, ndërsa tha se do të japë më të mirën e tij me Ilirinë.

“Dua të falënderoj Kryetarin e Bashkisë Pukë, z. Rrok Dodaj, stafin teknik me në krye trajnerin Sinan Bardhi, të gjithë futbollistët dhe mbi të gjitha tifozerinë e ekipit pukjan për mbështetjen dhe rrespektin e treguar në këto dy vite.

Në fakt, ka qenë një bashkëpunim tejet pozitiv. Tashmë pas largimit nga Tërbuni, kam vendosur t’i përgjigjem pozitivisht një oferte të ardhur nga KF Iliria, ku premtoj se do të jap më të mirën për këtë ekip”,-tha për “Shkodra Sport”, sulmuesi shkodran Vildan Kaçubela./www.shkodrasport.com/