Distanca 6.53 metra e arritur në vitin e largët 1989 nga kampionia e madhe Vera Bregu, është ende në fuqi në garën e kërcimit së gjati në Shqipëri për femra. Që prej asaj kohe, pra 29 vite më parë, ky rekord pavarësisht tentativa të bëra, nuk është thyer ende.

Me siguri duhet të kalojnë edhe 3-4 vite që kjo të ndodhë. Arsyeja është se duhet të presim një sportiste të së ardhmes që të rritet edhe paksa që ta thyejë këtë rekord. Bëhet fjalë për Erisa Rrasën.

Një sportiste e cila premton shumë. Trajneri Vildan Tufi duket se është fiksuar pas kësaj sportisteje, për të nxjerrë një tjetër kampione dhe rekordmene. Të dhënat e saj janë vërtetë shumë mbresëlënëse.

Ia ka sugjeruar atij një trajner futbolli, Gjovalin Colaj i cili e ka patur në stërvitje por ka parë tek Erisa prirjet për atletikën dhe ia ka sugjeruar trajnerit të mirënjohur.

Dhe Tufit i kanë mjaftuar vetëm pak minuta për të kuptuar se ka të bëjë me një element premtues. “Ka ardhur në tetor në pistën e atletikës kur sapo i kishte mbushur 13 vjeçe dhe vetëm brenda 3-4 muajsh ka arritur të bëjë një progres të jashtëzakonshëm. Sot arrin të kërcejë deri në 5.30 metra. Një rezultat shumë i mirë.

Po ju bëj vetëm një krahasim. E madhja Vera Bregu në moshën 14 vjeçare ka arritur të kërcejë 4.98 metra. Pra, kemi një progres të saj me rreth 30 centimetra. Një rezultat shumë i mirë kur ke parasysh që ka vetëm pak muaj stërvitje. Aftësitë e saj premtojnë shumë.

Edhe 100 metërshin e bën për 13″2 sekonda. Jam i bindur se brenda pak vitesh kjo do të jetë atletja që do të thyejë rekordet e të madhes Vera Bregu”- ka deklaruar trajneri Tufi.

Erisa dy ditë më parë ka zhvilluar garën e saj të parë zyrtare, pikërisht në Elbasan ku ka konkurruar me të rriturat dhe me distancën 4.74 metra duke zënë vendin e tretë. Një rezultat që natyrisht do të rritet shumë që në garat e ardhshme.

Trajneri vlerëson në fakt edhe sakrificat që bën kjo vajzë për të ardhur në stërvitje. “Erisa është nga Hoti i Ri dhe është tezja e saj që shkon e merr dhe e sjell në stërvitje ndërkohë që për ta marrë vjen e motra pasi lë punën.

Kjo është një sakrificë por ja vlen për t’u bërë sepse kemi të bëjmë me një sportiste që do të bëhet një kampione e madhe”- shton Tufi. Ndërkohë, vetë Erisa vjen nga një familje sportive.

I vëllai- Samueli, ka qenë një nga elementet e spikatur të futbollit të moshave në Shkodër, ndërkohë që tashmë është duke vazhduar me shumë sukses karrierën e tij në Itali.
Gjergj KOLA