Deri pak muaj kanë qenë sëbashku. Prej shumë e shumë vitesh. Për rrjedhojë, kanë arritur të shpallen kampion Ballkani e Europe.
Por gjërat tashmë kanë ndryshuar. Bëhet fjalë për trajnerin e atletikës Vildan Tufi dhe atletin Izmir Smajlaj.
Ky i fundit prej disa muajsh është duke u stërvitur nga presidenti aktual i FSHA-së Gjergj Ruli.
Ditët e fundit, ai bashkë me Smajlajn u shpallën kampionë Ballkani në garat e zhvilluara në Stamboll.
Por rezultati i arritur, 7.80 m, nuk i ka pëlqyer ish- trajnerit të këtij kampioni. Në një prononcim për mediat, ai është shprehur: “Jam i kënaqur që Izmiri (Smajlaj) u shpall sërish kampion i Ballkanit por jam i zhgënjyer me rezultatin e arritur.
Kjo vërteton atë që kam thënë prej kohësh, se sportisti nuk do të ketë progres ngaqë trajneri që e stërvit aktualisht është mediokër.
E njëjta situatë edhe për sportistin tjetër që kam stërvitur unë më parë, Ergys Gjeçajn.
Në vend që edhe rezultatet e tij të vijnë duke u rritur, ai ka zbritur me 60 centimetra në kërcimet e tij.
Faji është i presidentit Ruli që dëshiron të bëjë edhe rolin e trajnerit por ai nuk është profesionist”.
© shkodrasport.com