Tashmë është bërë fakt i kryer: Trajner i kampionit të Europës në atletikë nuk është më Vildan Tufi por Gjergj Ruli. Kjo ka qenë zgjedhja e bërë mesa duket nga vetë Izmir Smajlaj nisur edhe nga disa rrethana të tij ngaqë aktualisht jeton dhe punon në Tiranë. Por megjithatë ish- trajneri i tij Tufi me të cilin ai shkurtin e vitit të kaluar arriti suksesin historik të zënies së vendit të parë në kontinent, akuzon presidentin e Federatës për ndërhyrje në këtë mes. Në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport”, trajneri i mirënjohur shkodran i atletikës shprehet:
“Po, tashmë është fakt që unë nuk jam duke e stërvitur më Izmirin sepse këtë funksion po e kryen presidenti i Federatës Gjergj Ruli. Mendoj se në rradhë të parë në këtë mes, zotëria në fjalë ka konflikt interesi sepse nuk mund të bëjë njëkohësisht edhe presidentin edhe trajnerin. Së dyti, vërtetë z. Ruli ka qenë një sportist shumë i mirë për kohën e tij dhe njëkohësisht edhe rekordmen në këtë garë, por nuk ka eksperiencë si trajner. Ai mendon se mund ta çojë Izmirin deri në 9 metra por kjo gjë do metodikë pune dhe jo publicitet. Mendoj se mënjanimi im prej këtij personi ka kohë që ka nisur. Në dy vitet e fundit, në të gjithë aktivitetet e rëndësishme ndërkombëtare, unë nuk kam qenë me sportistin tim ndërkohë që z. Ruli kërkonte të ishte pranë këtij sportisti që u duk qartë se do shpërthente shumë shpejt me rezultatet e tij.
Edhe për Lojërat Olimpike unë nuk kam qenë në listën e ekipit tonë olimpik çuditërisht dhe u desh ndërhyrja e strukturave më të larta të Qeverisë për të shtuar emrin tim përkrah sportistit Izmir Smajlaj. Edhe pas rezultatit të lartë që ky sportist arriti në Beograd, në të gjitha ceremonitë e zhvilluara më pas, unë në një mënyrë a në një tjetër anashkalohesha. Nuk mu dha asnjë titull dhe asnjë vlerësim. Gjithçka mesa duket ka qenë e programuar prej presidentit të Federatës për të ulur rolin dhe figurën time që në një të ardhme të shpejtë, të ishte ai trajneri i këtij kampioni të madh dhe ia doli në fakt. Por kjo nuk është aspak e ndershme sepse emrin tim e kam arritur me punë e djersë dhe askush nuk ka falur gjë”.
© shkodrasport.com