Vllaznia në atletikë gjithë këto vitet e fundit ka shkëlqyer në nxjerrjen e sportistëve cilësorë dhe sidomos në garën e kërcimit së gjati. Trajneri Vildan Tufi ka nxjerrë me dhjetra kampionë por edhe rekordmenë.

Kulmi i tij padyshim ka qenë me Izmir Smajlajn me të cilin u shpall Kampion Europe për sallat e mbyllura në vitin 2017. Por tashmë ky sportist siç dihet, ka kaluar tek ekipi i Tiranës.

Trajneri Tufi e ka përqendruar vëmendjen tashmë tek pjesa tjetër e sportistëve që ka në dispozicion me në krye Ergys Gjeçajn. Ky i fundit konsiderohet një atlet i talentuar megjithatë ka kaluar disa muaj jo në formën e duhur ngaqë ka udhëtuar sa në Shkodër aq edhe në Tiranë.

Por tashmë Ergysi është kthyer përfundimisht në Shkodër dhe po punon intensivisht me trajnerin Tufi për të rritur parametrat fizikë. Kuptohet që tashmë është momenti për të shpërthyer sepse pikërisht sot mbush 20 vjeç.

Sot ai do festojë gjatë me shokët e ekipit por edhe me familjen e tij. Por, pa lënë mënjanë stërvitjen. Trajneri Tufi ka shumë besim tek ky sportist, prandaj dhe thotë:

“Ju siguroj se me Ergys Gjeçajn dhe sportistët e tjerë që stërviten tek Vllaznia, do të mundohemi të rivalizojmë deri në fund me Izmir Smajlajn në garën e kërcimit së gjati. Duke punuar fort mund t’ia dalim sepse kemi të bëjmë me sportistë të talentuar”.
www.shkodrasport.com