Deliç, Nallbani, Begaj, Beqiri, Osmani, Shtubina, Dragoi, të gjithë këta bëjnë shtatë. Janë shtatë blerjet e realizuara deri tani nga Vllaznia ndërkohë që mungon I teti. Vilfor Hysa me shumë mundësi do jetë “I teti në bronz”. Sulmuesi kryeqytetas në këtë mënyrë mund të identifikohet me titullin e një filmi shumë të njohur shqiptar. Hysa që sezonin e kaluar ka luajtur me Laçin tashmë është I lirë dhe po kërkon një skuadër tjetër. Ai ka patur disa oferta nga skuadra të kampionatit shqiptar dhe të huaja megjithatë ai duket shumë pranë firmës me Vllazninë. Sulmuesi shtatëshkurtër ka patur disa biseda me drejtuesit shkodranë dhe e fundit ka qenë ajo e para tre ditëve me trajnerin Shpëtim Duro. Ky I fundit dëshiron ta ketë në skuadër këtë futbollist përderisa ende nuk e ka gjetur sulmuesin që kërkon. Merkatoja kuqeblu ka shkuar mirë deri në sulm ndërkohë që do vijë edhe tentativa e fundit. Edhe lojtari dëshiron të vijë e të luajë në “Loro Boriçi” megjithatë pengesa e vetme për momentin  gjetja e akordit financiar me drejtuesit e Vllaznisë. Nga sa bëhet e ditur, ditën e sotme, Hysa do ketë një takim me administratorin Shaba dhe drejtorin sportiv Grima për të biseduar më konkretisht për kushtet financiare të kontratës. Lojtari fillimisht ka patur kërkesa të larta financiare por në prononcimin e tij të fundit ai ka lënë të kuptohet se mund të merret vesh me drejtuesit shkodranë. Në këtë mënyrë takimi I sotëm do vendosë përfundimisht nëse ky sulmues do vishet kuqeblu apo jo. Nëse ai pranon, do jetë kësisoj blerja e tetë e Vllaznisë në këtë merkato vere. “I teti në bronz” mund t’I takojë pikërisht atij. Drejtuesit shkodranë në fakt nuk po nguten shumë për ta bërë këtë blerje ndoshta të fundit. Fakti që duhet një sulmues I mirë I cili të mbajë barrën kryesore të manovrës offensive, I ka bërë ata të maten mirë. Që do të thotë se nuk kanë ndër mend të dalin as jashtë parashikimeve të tyre të shpenzimeve sepse pikërisht për këtë gjë, hoqën dorë nga kroati Pejiç, që ishte zgjidhja e parë për sulmin. Vllaznia ka bërë përgjithësisht një merkato të kujdesshme duke ofruar në skuadër lojtarët që ka kërkuar trajneri Duro. Me afrimin e Hysës edhe merkatoja kuqeblu mund të quhet e mbyllur pavarësisht se ka një dëshirë të madhe për të marrë edhe mesfushorin elbasanas Klodian Duro që në fakt vazhdon të këmbëngulë për të qëndruar tek Tirana pavarësisht se raportet me trajnerin e kësaj skuadre nuk janë aspak të mira. Nga e gjithë kjo situatë mund të përfitojë Vllaznia që mund ta bëjë të vetin këtë lojtar. Por pa shkuar tek mesfushori, e rëndësishme është gjetja e sulmuesit kryesor. Vllaznia ka ndër mend të luajë me një mesfushë të ngjeshur dhe me një sulmues të vetëm I cili gjithsesi duhet t’I garantojë minimumi 10 gola sepse të tjerët mund të vijnë nga mesfushorët. Kjo dilemë e fundit mund të marrë fund ndoshta me akordin që mund të arrihet me Hysën. Tifozët shkodranë po e presin me shumë interes skuadrën e ndërtuar së fundi dhe prandaj duan edhe një sulmues të mirë për të qenë të kënaqur plotësisht me atë çfarë kanë bërë drejtuesit në këtë merkato.
Gjergj KOLA