Real Madridi ka siguruar tashmë edhe matematikisht titullin e 36-të të La Ligas në historinë e klubit, pasi Barcelona nuk ia doli të arkëtojë tri pikët në sfidën ndaj Gironës, ndërsa ‘Los Blancos’ fituan me rezultat të pastër 3-0 ndaj Cadizit në shtëpi.Me të përfunduar ndeshja u shpërndanë disa video në rrjetet sociale, aty ku lojtarët e Real Madridit po festonin titullin e dytë këtë sezon.
Në mesin e lojtarëve që reaguan pas sigurimit të titullit kampion ishte edhe ylli brazilian, Vinicius Junior, i cili ishte njëri ndër më meritorët për këtë sukses të Real Madridit.
“Epoka e re”, ishte mbishkrimi i Vinicius në foton që kishte publikuar me trofetë që gjenerata e re e lojtarëve të Real Madridit ka fituar që prej se janë pjesë e klubit spanjoll.
Ky postim i tij vjen si kundërpërgjigje ndaj lojtarit të Barcelonës, Ronald Araujo, i cili në janar të vitit 2023 pasi Barcelona kishte mposhtur Real Madridin në finale të Superkupës së Evropës kishte ngacmuar rivalët e tij.
“Është fillimi i një epoke të re”, kishin qenë fjalët e uruguaianit pasi Barcelona kishte fituar titullin, dhe shumë njerëz aluduan se ishte një deklaratë goditëse për Real Madridin.
Lojtarët e Real Madridit kanë mundësinë që ta shtojnë edhe një trofe në sirtarin e tyre në rast se eliminojnë Bayern Munichun në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, dhe dalin fitimtar eventualisht në finalen e cila do të zhvillohet më datë 1 qershor në ‘Wembley’ të Londrës./Telegrafi/