Ylli i Real Madridit, Vinicius Junior e ka ndryshuar qasjen e tij në ndeshjen e parë të vitit 2025, pasi më herët ishte kritikuar se hezitonte ta pranonte fajin e tij në raport me gjyqtarët.
Sidoqoftë, pasi ai u përjashtua me karton të kuq ndaj Valencias, braziliani kërkoi falje ndaj bashkëlojtarëve në rrjetet sociale. Vinicius ka marrë 8 kartonë të verdhë në 20 paraqitje këtë sezon para udhëtimit në Mestalla, atje ku e humbi qetësinë sërish.
Mes fjalëve fyese si ‘budalla’ nga tifozët vendas, portieri i Valencias, Stole Dimitrievski iu afrua në fytyrë për t’i kërkuar që të ngrihet në këmbë pasi u rrëzua brenda zonës.Vinicius ra në këtë ‘kurth’, duke e shtyrë eventualisht portierin maqedonas me dy duart në fytyrën e tij.
Pas rishikimit nga VAR, gjyqtari i ndeshjes vendosi ta përjashtonte atë me karton të kuq, por kjo nuk e pengoi Real Madridin që ta kompletonte përmbysjen e rezultati në sekondat e fundit të takimit. Me të përfunduar ndeshja erdhi edhe reagimi i tij në rrjetet sociale, ku përmes platformës X ai shkroi ‘më falni dhe faleminderit ekipit’./Telegrafi/