-Viori, më në fund zyrtarisht I keni dhënë lamtumirën futbollit të luajtur?
-Të them të drejtën nuk do kisha dashur të ndodhte kështu por vjen një moment dhe I duhet thënë “Mjaft” futbollit të luajtur. Ky moment, ndonëse I dhimbshëm erdhi edhe për mua dhe kuptohet që nuk vjen mirë megjithatë nga ana tjetër, më vjen që kam arritur të lë gjurmë në historinë e futbollit shkodran.
-Çfarë kishte të veçantë karriera juaj?
-Me shumë siguri do mbahem mend për numrin e madh të golave të shënuar, teksa kam shënuar më shumë se çdokush tjetër për Vllazninë.
-Kujt ia dedikoni këtë karrierë të suksesshme?
-Në rradhë të parë familjes time që më ka qëndruar pranë gjithmonë. Kam ndarë me të gëzimet dhe hidhërimet e sportit dhe ajo gjithnjë më ka mbështetur. Dua të falenderoj shokët dhe trajnerët për vitet e bukura dhe të mrekullueshme që kemi kaluar bashkë, njëkohësisht një falenderim kam edhe për gazetarët që më kanë mbështetur gjithmonë.
-Harruat tifozët, për të cilët keni qenë një beniamin I vërtetë I tyre?
-Edhe po të dua, ata nuk harrohen. Aq më tepër që mua personalisht më kanë mbështetur gjithmonë. Vllaznia duhet të jetë krenarë që I ka ato tifozë pasi jam I bindur se janë numri 1 në Shqipëri. Ata do jenë gjithmonë në zemrën time për mbështetjen që më kanë dhënë gjatë gjithë karrierës.
-Cilët kanë qenë momentet më të lumtura dhe më të hidhura të karrierës sime?
-Më të lumturat dhe më të hidhurat kanë qenë të lidhur gjithmonë me fitimin apo humbjen e trofeve megjithëse për mua si sulmues, çdo shënim I një goli ka dhuruar një moment të bukur dhe përderisa kam shënuar shumë gola, kjo do të thotë se më shumë kam gëzuar gjatë karrierës time.
-Në sezonin e fundit përveçse si lojtar, keni provuar edhe rolin e zëvendëstrajnerit. Ka qenë e vështirë?
-Sigurisht që ka patur vështirësitë e veta aq më tepër që Vllaznia nuk kaloi një moment të mirë. Megjithatë dua të falenderoj drejtuesit e bordit dhe ato të klubit për mbështetjen që më kanë dhënë sepse ka qenë një mbështetje e fortë pikërisht në momentet kur unë isha drejt lënies së sportit.
-Si e gjykoni të ardhmen e skuadrës shkodrane?
-Unë uroj që sezonin e ri të kemi një Vllazni tjetër, një Vllazni pretedente.
-Keni provuar rolin e zëvendëstrajnerit. Mos do të thotë kjo se shumë shpejt mund t’iu shohim edhe si trajner I parë?
-Për momentin jo. Në të ardhmen, pas disa vitesh, ku I dihet se çfarë mund të ndodhë. E rëndësishme është që unë do jem gjithnjë pranë futbollit.
-Ndërkohë, besoj se e keni marrë vesh që është propozuar heqja e fanellës me numrin 9 me të cilën ju keni luajtur gjatë karrierës tuaj. Çfarë do të thotë kjo për ty?
-Sigurisht që është nder I madh nëse vendoset kjo gjë. Megjithatë, unë gjej rastin të falenderoj drejtorin Grima për propozimin e bërë. Ai është dhe do të mbetet një shok dhe mik I mirë për gjithë jetën dhe do ketë respektim tim maksimal.
-Nuk ka ndodhur me asnjë futbollist tjetër shqiptar kjo. Mendon se kjo gjë jua rrit edhe më shumë vlerat përveç 207 golave që keni shënuar në kampionate?
-Unë besoj se ia rrit vlerat klubit Vllaznia që di të nderojë ata që kanë dhënë për të. Sigurisht që ndihem krenar për këtë veprim që po bën klubi, jam krenar që kam shënuar më shumë se çdokush tjetër gola për Vllazninë dhe ajo që mund të them në fund unë është se falenderoj Vllazninë për emrin e mirë që më ka dhënë.
-Do të ketë sulmues të tjerë si Sinani në të ardhmen kjo skuadër?
-Jam I bindur se do ketë, vit pas viti Vllaznia do të nxjerrë të tjerë “Sinanë” sepse ky qytet e ka traditë nxjerrjen e futbollistëve cilësorë.
Gjergj KOLA
Skeda
Emri: Vioresin
Mbiemri: Sinani
Datëlindja: 04.11.1977
Vendlindja: Shkodër
Karriera: Vllaznia, Varteks (Kroaci), Kaiserispor (Turqi), Tirana, Besa
Trofetë: 2 tituj kampion me Vllazninë, 1 titull kampion me Tiranën, 1 Kupë Shqipërie me Vllazninë, 1 Kupë Shqipërie me Besën, 2 Superkupa me Vllazninë
Ndeshje me Kombëtaren: 5