Nesër për nder të karrierës së shkëlqyer të tij dhe kontributit të jashtëzakonshëm që ka dhënë për Vllaznisë, drejtuesit e këtij klubi kanë vendosur t’i zhvillojnë një ceremoni të thjeshtë por shumë sinjifikative me rastin e lënies së futbollit. Vioresin Sinani për këto arsye, ndihet i lumtur. Njëkohësisht edhe krenar për atë çfarë i ka dhënë kësaj skuadre në vite. Ndjehet krenar që e ka nisur karrierën tek Vllaznia dhe e mbylli tek ajo. Ndihet krenar që u ka dhuruar shumë emocioneve tifozëve të veçantë që ka kjo skuadër. Megjithatë në ceremoninë e nesërme, në prag të ndeshjes me Skënderbeun, nuk përjashtohet mundësia që në sytë e Viorit të ketë edhe lot. Ai nuk do luajë më futboll në fushë por nuk do jetë larg Vllaznisë sërish teksa po vazhdon detyrën e trajnerit tashmë tek ajo. Në një intervistë ekskluzive për gazetën online www.shkodrasport.com, Sinani ka rrëfyer shumë gjëra. Ja intervista e plotë e golashënuesit më të mirë në historinë e kampionateve shqiptare:
-Viori, të premten nis kampionati i ri dhe ju do jeni sërish në fushën e lojës por këtë herë jo për të luajtur. Ju vjen keq për këtë gjë?
-Nis një kampionat i ri dhe unë nuk do jem në fushë për të luajtur kjo është e vërtetë. Jam përgatitur për t’i përballuar këto emocione. E lashë futbollin e luajtur në momentin kur mendova se ishte më e përshtatshme ta bëja atë gjë dhe nuk mendoj se më ka mbetur gjë peng nga karriera ime.
Klubi Vllaznia ka vendosur të organizojë një ceremoni interesante në prag të ndeshjes me Skënderbeun pikërisht për lënien e futbollit nga ana juaj. Ndiheni i vlerësuar për këtë?
-Kur organizohet një ceremoni e tillë nga ana e klubit, natyrshëm që ndihesh mirë sepse në fund të fundit vlerësohesh për atë çfarë ke dhënë për të. Unë falenderoj drejtuesit e Bashkisë, ato të klubit dhe në veçanti Armir Grimën për gjithçka kanë bërë për të organizuar këtë ceremoni.
-Megjithatë, do të dëshiroje të luaje në këtë ndeshje shumë të fortë ndaj Skënderbeut?
-Do ishte bukur të luaja në një ndeshje të tillë ndaj një skuadre kampione, por tashmë unë i kam dhënë fund karrierës dhe mos harroni, gjatë karrierës time kam luajtur ndeshje edhe shumë më të forta se kjo. Nuk më ka mbetur asgjë peng pa realizuar dhe për këtë ndjehem krenar.
-Me shumë gjasa, jeni sulmuesi më i mirë i të gjitha kohërave në kampionatin shqiptar. Çfarë do të thotë kjo për ty?
-Di që kam shënuar shumë gola. Dikush thotë se jam shënuesi më i mirë dhe natyrshëm ndjehem mirë. Kam bërë gjëra të mira, kam lënë pas një karrierë të mbushur me gola dhe trofe dhe kaq mjaftojnë për një futbollist për t’u kujtuar sërish edhe në vitet pasi ta ketë lënë futbollin.
-Ndaj cilit mbrojtës, e keni patur më të vështirë të luani?
-Në vitet e gjatë të karrierës time, më ka rastisur të luaj ndaj mbrojtësave shumë të mira megjithatë po ju them se më të vështirë e kam patur ndaj dy futbollistëve: Nevil Dedes dhe Arjan Pishës.
-Cili ka qenë goli më i bukur në karrierën time?
-Kam shënuar shumë gola dhe secili ka patur bukurinë e tij. Nuk di t’i ndaj cili është më i bukuri dhe cili më i shëmtuari. Çdo top që kalon vijën e portës të jep emocione të veçanta dhe unë jam ndjerë shumë herë i lumtur.
-Momenti më i lumtur i karrierës tënde?
-Do veçoja mbi të gjitha dy: atëherë kur jam shpallur kampion me Vllazninë, në vitin 1998 dhe 2001. Në të dy rastet ndeshjet e fundit kanë qenë në Shkodër dhe kam përjetuar emocione të rralla kur kam parë stadiumin “Loro Boriçi” të mbushur edhe me gra dhe fëmijë duke gëzuar për titullin kampion. Nuk ndodh shpesh t’i përjetosh të tilla momente dhe prandaj jam shumë i lumtur që kam patur rastin të jem present dhe të kontribuoj për një gëzim të tillë të bashkëqytetarëve të mi.
-Po momenti më i keq i karrierës tënde?
-Ka patur edhe momente të këqija por përderisa unë kam patur më shumë momente të mira në karrierë, nuk dua të merrem fare me to. Jam një njeri që ka dëshirë të kujtoj gjithnjë gjërat e mira.
-Por sot Vllaznisë po i  mungojnë sulmuesit shkodranë. Ky është një moment kalimtar për këtë gjë?
-Vllaznia ka nxjerrë çdo vit sulmuesa shumë të mirë. Jo më kot, ata janë të shpërndarë në skuadra të tjera kryesisht jashtë vendit. Në skuadrën tonë aktualisht nuk kemi një sulmues cilësor shkodran por besoj se shpejt do vijë edhe ai. Megjithatë ky nuk është një problem vetëm për Vllazninë. Në kampionatin shqiptar ka ardhur duke u reduktuar ndjeshëm këto vitet e fundit numri i sulmuesve cilësorë. Kanë mbetur vetëm 3-4 të tillë por shpresoj që vitet e ardhshme të kemi të tjerë që do bëjnë emër.
-Do ketë probleme në sulm Vllaznia këtë sezon?
-Përveç Hysës tashmë kemi marrë edhe Rexhën. Mendoj se nuk do kemi problem. Pastaj përveç këtyre dy futbollistëve ka edhe të tjerë që dinë ta bëjnë mirë këtë gjë. Në pamje të parë duket se Vllaznia nuk do vuajë për golin megjithatë të shohim kur të fillojnë ndeshjet.
-Në ndeshjen e nesërme, tifozët e Vllaznisë duket se kanë menduar një suprizë të bukur për ju…
-Dolët aty ku desha të dilja edhe unë në fund të kësaj interviste. Jam shumë i lumtur që i kam kënaqur këta tifozë të mrekullueshëm me golat që kam shënuar. Ata kanë qenë një mbështetje e shkëlqyer gjatë gjithë karrierës sime. Po ju them vetëm kaq këtyre tifozëve: Jam krenar që e kam nisur karrierën tek Vllaznia dhe e kam mbyllur tek ajo. Kam luajtur në 4-5 skuadra gjatë karrierës time, por emocione që kam përjetuar duke luajtur me Vllazninë nuk kam përjetuar askund tjetër. Kjo tregon se kjo skuadër dhe ky emër janë dhe do mbeten të shenjta për mua gjatë gjithë jetës.
Gjergj KOLA

-“Mister 207 golëshi”, ndahet nga futbolli i luajtur
Pas një karriere 17 vjeçare në fushën e blertë, Vioresin Sinani nesër mbrëma do të zbresë për herë të fundit në një fushë të tillë për të goditur një top futbolli. Do të shkelmojë topin e nisjes së ndeshjes së parë të kampionatit të ri dhe njëkohësisht do përshëndetet me të gjithë pas një karriere të gjatë, të cilës i erdhi fundi. “Ujku” siç e kanë thërritur tifozët kuqeblu, do mbahet mend për 207 golat e shënuar në kampionate me fanellat e Vllaznisë, Tiranës dhe Besës (në fakt dikush thotë se janë 208 por në fakt nuk është kështu). Me kaq gola, ai ka gjasa të ketë kaluar edhe të madhin Refik Resmja i cili deri pak kohë më parë është konsideruar si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të futbollit shqiptar por Sinani i ka kaluar këto shifra. Ka shënuar edhe 46 gola në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë dhe 2 gola në Kupat e Europës me Vllazninë. Me 255 gola në total, “ujku” do mbetet gjatë në histori.

-Karriera si trajner? Qenka bukur edhe kështu
E nisi me Rudi Vatën sezonin e kaluar dhe tashmë është sërish në postin e zëvendëstrajnerit. Sinani ka vendosur në këtë mënyrë t’i hyjë zanatit të trajnerit për të mos iu larguar futbollit, për të mos iu larguar Vllaznisë. I pyetur sesi ndjehet në këtë post të ri, ai është shprehur: “në fillim e kisha të vështira të ambjentohesha. Isha mësuar të luaja në fushë dhe kaq. Këtu qenka tjetër gjë. Paska edhe më shumë përgjegjësi sepse ke për detyrë të drejtosh një skuadër të tërë megjithatë qenka bukur. Edhe puna e trajnerit të jep shumë adrenalinë dhe prandaj kam dëshirë ta vazhdojë këtë zanat edhe më tej”.

.