Gjatë karrierë së tij ka shënuar më shumë gola se kushdo tjetër për Vllazninë (madje edhe në Shqipëri).

Vioresin Sinani i ka ndier kënaqësi këtyre golave edhe sepse skuadra gjithnjë ka qenë në elitë.

Sot ndërkohë, po përjeton si gjithë shkodranët dramën e rënies nga kategoria.

I pyetur si është ndjerë ditët e fundit, ish- goleadori i njohur ekskluzivisht për “Shkodra Sport” shprehet:

“Kurrë nuk e kisha çuar ndër mend se do të vinte një ditë dhe do ta shikoja Vllazninë të rënë nga kategoria.

Normalisht që e kam përjetuar shumë keq si të gjithë shkodranët dhe ende nuk dua ta besoj se ka ndodhur kjo.

Gjithmonë gjatë gjithë karrierës time kam luftuar për vende të para në renditje dhe të mendosh tashmë pozitat e skuadrës, sinqerisht që nuk ndihesh mirë. Këto janë ditë të vështira për gjithë Shkodrën”.

Vllaznia tashmë ka rënë nga kategoria dhe padyshim që bëhet edhe një analizë për të gjetur edhe fajtorët që çuan në këtë situatë.

Duke folur në lidhje me këtë situatë, Sinani shton: “I kujt është faji? Vetë klubi përmes komunikatës për shtyp dje i bëri të ditur shkaktarët.

Kush më shumë dhe kush më pak, të gjithë janë fajtorë për këtë dramë që i është shkaktuar Vllaznisë.

Bashkia Shkodër duhet të marrë masa për ta hequr shpejt doret klubin sepse të them të drejtën nëse ajo vazhdon ta mbajë sërish atë, nuk e di si mund të marrë rrjedha e ngjarjeve por nuk shoh një të ardhme të mirë”.

Fajtorë shumëkush konsideron edhe futbollistët të cilët në shumicën e tyre sivjet kanë qenë shkodranë në ekip.

Ata mbase nuk e kanë ndjerëa aq sa duhet përgjegjësinë e veshjes së fanellës kuqeblu, por ish- sulmuesi i Vllaznisë mendon ndryshe:

“Asnjëherë nuk kam qenë dakord që Vllaznia të jetë veç me shkodranë. Nëse shkodranët janë të mirë, bujrum të vijnë e të luajnë.

Nëse janë të huaj të mirë, bujrum të vijnë. Vllaznia nuk ka nevojë as për lojtarë shkodranë të dobët dhe as për të huaj të dobët.

Gjithë Bota i ka lojtarët e përzier por është dasht të bëhet një ekip i mirë, me individë të mirë, gjë që se kanë arrit dhe prandaj jemi këtu ku jemi”.
© shkodrasport.com