Vllaznia luan këtë fundjavë ndaj Skënderbeut, një ndeshje kjo shumë e rëndësishme për fatet e skuadrës shkodrane.

Duke folur në lidhje me këtë takim, Vioresin Sinani, një nga emblemat e klubit shkodran, në një prononcim për “Sport Ekspres” shprehet optimist për marrjen e një rezultati pozitiv nga kuqeblutë.

“Kjo është padyshim një ndeshje e rëndësishme për Vllazninë, që nga ana e saj kërkon pikët maksimale përballë një skuadre që pritet të vijë më e qetë në këtë sfidë nisur nga pozitat që ka në renditje.

Kuqeblutë kanë mungesa por me kontigjentin që ka në dispozicion trajneri Gjoka do të dijë të bëjë zgjedhjet e duhura në ndërtimin e formacionit për t’ia dalë me sukses.

Edhe Skënderbeu duket se do të ketë mungesa dhe duket si një luftë e barabartë në mes dy ekipeve.

Jo vetëm kjo ndeshje por edhe gjithë të tjerat që vijnë në vazhdim janë finale për kuqeblutë”- ka deklaruar Sinani.

Por ndërkohë ai ka folur edhe për çështjen e sulmit të Vllaznisë për të cilën ka shtuar: “Duke mos dashur të futem në kompetencat e trajnerit, sepse Gjoka është më afër skuadrës, do të thosha se Ribaj do të zëvendësojë denjësisht Sukajn në këtë ndeshje.

Ribaj realisht më pëlqen. është një sulmues tipik, që e njeh lojën përpara portës ndërkohë që kam konstatuar edhe një rritje të parametrave fizikë të tij.

Unë e konsideroj shumë pozitiv pozicionin e tij dhe besoj shumë tek ky lojtar”.
© shkodrasport.com