Pas tre ditësh ndeshjesh shumë të bukura, pasditen e sotme ka përfunduar turneu i dytë i beachvolejt “Velipoja 2017” që u organizua nga Bashkia Shkodër. Ky aktivitet ka kulmuar me ndeshjet finale për të dy kategoritë, si për femrat ashtu edhe për meshkujt. Në finalen e femrave janë ndeshur dy çifte sportistesh të ekipit të Vllaznisë, Diana Vistaraj/ Stela Kiri kundër Izabela Dodani/ Antoneta Molla.

Ndeshja ka qenë me rivalitet dhe për rrjedhojë ka shkuar me set final, aty ku përvoja më e madhe e dyshes Vistaraj- Kiri, ka bërë që ata të shpallen fitues të këtij turneu. Edhe finalja e meshkujve ka qenë shumë e bukur.

Përballë njëri- tjetrit kanë qenë çifti i përbërë nga dyshja e Vllaznisë Nikolin Qafarena/ Fatjon Çekini me atë të Partizanit Klaudio Qeraxhia/ Arber Troka. Kjo e fundit është treguar më e kujdesshme dhe me set final ka fituar 2-1 duke u shpallur fituese e turneut dhe duke merituar edhe shpërblimin financiar të vënë nga organizatorët.

Në ceremoninë e dorëzimit të diplomave dhe medaljeve kanë qenë të pranishëm përveç përfaqësuesve të zyrës së sportit pranë Bashkisë Shkodër Vinifreda Gazulli e Antonio Shabani, edhe drejtori i SK Vllaznia Mark Kroqi si dhe trajneri i Partizanit Ylli Tomori. Në këtë mënyrë është mbyllur ky edicion i dytë i këtij turneu që njohu rritje në krahasim me edicionin e parë dhe natyrisht që është një aktivitet i cili nga viti në vit pritet të marrë përmasa edhe më të mëdha.

© shkodrasport.com