Të gjithë do të vendosnin duart në kokë për një moment, Greqia shkonte në finalen e Europianit 2004, në mënyrë krejtësisht të papritur, për më tepër duke i shokuar të gjithë, pasi do të përmbyste çtë gjente përpara deri në finale.
Të mundje Portugalinë e atij viti, sigurisht që nuk ishte pak, por nëse kjo vinte në finalen e atij Europiani, atëherë praktikisht ishte prekur maja më e lartë e futbollit. Greqia ia doli, mes besimit të madh në aftësitë e saj, por duke pasur edhe fatin si aleatin më të madh.
E gjithë Europa dhe përtej kufirit të saj, tregonte për një hirushe të bukur, që doli nga asgjëja, për t’i befasuar të gjithë dhe për të treguar se e pamundura, është një limit imagjinar. Pikërisht, arma më e fortë e kësaj Greqie në këtë kohë, do të kthehej në “vetvrasje” për ta në tokën shqiptare.
Futbollistët e drejtuar nga ana e Otto Rehhagel e kishin marrë Tiranën e atëhershme si një kohë të bukur për t’u kaluar, një farë shëtitje. Por nuk do të zgjaste shumë e gjitha kjo, tifozët e Shqipërisë do ia bënin të qartë kundërshtarëve: “Ne nuk jemi Portugalia!”.
Fillimisht të gjithë qeshën, sigurisht që Shqipëria nuk ishte Portugalia, pasi këta të fundit as nuk mund të krahasoheshin me kuqezinjtë tanë që ishin “të mëdhenj” për ne, por “të vegjël” për botën mbarë.
Situata ndryshoi kur dy Kombëtaret hynë në fushën e lojës, teksa grekët e vërtetuan se kishin ardhur në “tokën e gabuar” dhe se ishin të padëshiruarit e një feste të madhe. Mjaftojnë vetëm pak minuta, një top i dhuruar në mënyrë të gabuar nga ana e futbollistëve grekë, që Murati të dërgonte topin në rrjetë dhe t’i tregonte kundërshtarit, se Portugalia as që nuk i afrohej asaj Shqipërie, të paktën jo nga tifozeria.
Por ai goli i Muratit, nuk do të ishte thuajse asgjë në krahasim me emocionet që do të dhuronte më pas Aliaj. Një gjuajtje fantastike nga goditja e dënimit, do të linte poriterin Nikopolidis të shtangur në vend. Topi kishte hyrë në rrjetë.
Në fakt, askush nuk e pa nëse topi kishte hyrë në rrjetë, përpara se të dëgjonte një shpërthim të jashtëzakonshëm të turmës së tifozëve. I madh dhe i vogël, të vjetër e të rinjë, tifozë e jo tifozë, në atë moment ndiheshin më krenar se kurrë, kishin mposhtur kampionët e Europës dhe të urryerit “e përjetshëm”.
Greqia mund të ishte një përallë e bukur asokohe, por në Shqipëri hirushet nuk ekzistojnë, sepse ne nuk ishim Portugalia, e kishim paralajmëruar që më herët… /Shqipëria.ch/