Paulo Dibala është kthyer në një shqetësim të madh në shtëpinë e Juventusit. 2020 nuk ka qenë aspak e lehtë për sulmuesin argjentinas, fillimisht COVID-19, më pas dhimbjet në stomak dhe së fundmi një infeksion në rrugët urinare.

Vetëm një gjysmë goli në Champions, ka qenë shkëndija e vetme pozitive e tij në këtë vit, shumë pak për një lojtarë që pritej të udhëhiqte Juven së bashke me CR7.

Gjendja e tij ka vënë në alarm stafin mjekësor të “Zonjës së Vjetër”, Dibala pritet t’i nënshtrohet testeve të tjera për të kuptuar se çfarë nuk shkon me trupin e tij. Në këtë periudhë për të kemi dëgjuar të flitet për kura mjekësore dhe gjendje jo të mirë fizike, Dibala nuk u grumbullua sërish me përfaqësuesen argjentinase në mënyrë që këtë kohë ta shfrytëzojë për tu rikthyer në formë.

Kjo situatë e pa qartë më shëndetin e tij ka ndikuar jo pak edhe në rinovimin e kontratës e cila mbetet pezull, çka bën që shpesh të flitet edhe për një largim të tij në fund të sezonit.