Futbolli shqiptar ka pësuar një progres në rritje në vitet e fundit dhe sezon pas sezoni, rivaliteti është rritur ndjeshëm, e bashkë me të edhe emocionet e spektaklit. Mes pandemisë dhe pasigurisë që krijonte situata nga COVID, vitit 2021 foli kryesisht për tre skuadra në futbollin shqiptar. Teuta kampion dhe fituese e Superkupës, Vllaznia fituese e Kupës dhe Tirana kryesuesja aktuale e kampionatit, janë tre prej ekipeve që vitin 2021 mund ta konsiderojnë si të suksesshëm.

Pas 27 vitesh, në Durrës arritën që të kthenin titullin kampion, një sukses i jashtëzakonshëm që u regjistrua në frymën e fundit të kampionatit. Në një edicion plot rivalitet dhe emocione, Djemtë e Detit ishin ata që në “Niko Dovana” festuan pas triumfit me Apoloninë, duke u renditur në vend të parë për shkak se kishin një bilanc më të mirë në raportin e golave të shënuar dhe atyre të pësuar.

Me 66 pikë, të koleksionuara nga 17 fitore, 15 barazime dhe vetëm katër humbje, skuadra e drejtuar nga Edi Martini arriti që t’i jepte durrsakëve titullin e dytë në histori bregdetarëve. Skuadra e Teutës arriti që të siguronte pjesëmarrjen në Kupat e Evropës, duke nisur aventurën e saj në raundin e parë të Champions League, ku u eliminua nga Sheriff Tiraspol, ndërsa më pas arriti që të kalojë një raund në Confference League, duke eliminuar modestët e Inter D’escaldes, por u ndal më pas nga irlandezët e Shamroc Rovers.

Teuta e nisi sezonin e ri në të njëjtën mënyrë siç e mbylli edicionin e shkuar, me trofe, duke arritur të marrë Superkupën e Shqipërisë, me Edi Martinin, i cili mori një tjetër trofe me skuadrën e tij, duke mundur Vllazninë e cila ishte fituese e Kupës.

Skuadra e Thomas Brdariç pa diskutim ishte surpriza më e bukur e këtij viti, me shkodranët të cilët luftuan deri në fund të sezonit të shkuar për të çuar ttiullin e 10-të Shkodër. Ekipi kuqeblu ishte shumë pranë titullit, por vetëm në metrat e fundit nuk ia doli që të fitonte terren ndaj Teutës. Megjithatë, prej shumë vitesh, skuadra shkodrane nuk kishte shijuar një edicion me pretendime, që në fund u mbyll me trofe, pavarësisht se jo me objektivin më madhor.

Vllaznia arriti që të fitonte Kupën e Shqipërisë, duke mundur në finalen e zhvilluar në Air Albania, Skënderbeun falë golit të Victor Da Silva. Trofeu i 17-të në historinë e skuadrës shkodrane dhe Kupa e shtatë për ekipin kuqeblu, që edhe në sezonin e ri, i ka bërë gjërat mjaft mirë, duke qenë pranë kreut të klasifikimit e duke kërcënuar Tiranën për vendin e parë.

Bardheblutë nuk ia dolën që të ishin në Evropë sezonin e shkuar, megjithatë në sezonin e ri janë ata pretendentët kryesor për të marrë titullin. Vetëm 2 humbje në 15 javë dhe pesë pikë të shkëputur nga Kukësi i vendit të dytë, kryeqytetasit e drejtuar nga Orges Shehi me të drejtë i kanë bërë gjërat më së miri dhe nëse do të vijojnë me të njëjtin rendiment, do jetë e vështirë për çdo kundërshtar tjetër për t’i ulur nga kreu i renditjes. Skuadra bardheblu ka hedhur bazën e fortë për një edicion ku do të kërkojë që të shtojë në palmaresin e saj numrin e titujve kampion, por gjithçka do të përcaktohet në vitin e ri.

Pas një viti mjaft të ngarkuar dhe plot surpriza, tashmë na mbetet të presim se çfarë do të na dhurojë viti 2022, ku e sigurt është se kopertina e futbollit shqiptar do të pasurohet akoma dhe më shumë me spektakël, emocione dhe rivalitet.