Ky vit do të nisë me një sërë sfidash për Vllazninë, të cilët shpresojnë t’i kalojnë me sukses. Së pari, ekipi duhet të sigurojë njëherë e mirë Europën dhe më pas të shpresojë të mos mbetet larg kreut të renditjes.
Për të parën i kanë plotësisht të gjitha mundësitë, sepse rivalët nuk janë shkëputur, ndërsa për titullin kampion është një synim edhe më i vështirë. Për aq kohë sa skuadra do të jetë në mesin e renditjes, hijet e rezultateve negative do të vijojnë të jenë prezente këtë sezon.
Së dyti, Vllaznia duhet t’i rikthejë kënaqësinë tifozëve në shtëpinë e vet dhe të mos përsërisë këto javë të luajtura deri më tani. Një shenjë pozitive u dha në ndeshjen e fundit të vitit, ku edhe mposhtën Teutën me rezultatin e thellë 4-0, duke dhënë sinjale se kuqeblutë kanë kaluar presionin e faktorit të të luajturit në shtëpi.
Së treti, e cila shihet edhe si sfida më e vështirë, është rikthimi i asaj skuadre kompetitive që të gjithë njohin, duke bindur në lojë dhe rezultate. Realisht, duket një mision i vështirë për këtë pjesë të mbetur të sezonit, por për këtë arsye do të bëhet edhe merkatoja.
Megjithatë, ajo ç’ka është e rëndësishme është që skuadra e Vllaznisë të rikthehet sa më parë që të jetë e mundur në “shina”.
Maringlen ZHIVANI