Ekipi i Vllaznisë ka rinisur dje procesin stërvitor pas pushimeve të fundvitit. Të besuarit e trajnerit Brdariç si seancë të parë kanë pasur ushtrime palestre, kjo e ndikuar edhe nga mungesa e fushës stërvitore.
Një problem që po shoqëron kuqeblutë prej kohësh dhe për të cilin edhe trajneri gjerman ka ngritur zërin. Fusha sportive e “Reshit Rusit” ende nuk është gati, pavarësisht se mendohej se tashmë do ishte e përfunduar.
E ndërsa edhe ambiente të tjera stërvitore në Shkodër nuk plotësojnë kushtet e një skuadre profesioniste dhe të kategorisë Superiore. Duket se drejtuesit e Vllaznisë prej këtij fakti kanë menduar ta zhvendosin skuadrën në Ulqin.
Fituesit e kupës së Shqipërisë me siguri nesër do udhëtojnë drejt vendit fqinj. Kjo për të pasur kushtet e duhura të stërvitjes. Shkodranët besohet se do qëndrojnë 4-5 ditë në Ulqin, ku do zhvillohet edhe një mini-fazë përgatitore dimërore.
Problematikat me terrenet sportive ka disa kohë që shoqërojnë Vllazninë dhe në përgjithësi futbollin shqiptar. Kjo tregon edhe njëherë për problemet e theksuara që kanë me infrastrukturën skuadrat e Superligës tonë.
Endri ÇINARI