Zgjedhja e stadiumit “Moccagatta” të Alessandria-s për ndeshjet që ekipi Under 23 të Juventus do të luajë në Serinë C mund të jetë vetëm e përkohshmë.
Sipas “Tuttosport”, në fakt, klubi bardhezi po mendon të ndërtojë një impiant të ri për ndeshjet e ekipit të Mauro Zironelli-t, por edhe për Juventus Women, e shpallur kampione e Italisë në vitin e parë të krijimit.
Vajzat e Rita Guarino janë të detyruara të migrojnë në Novara, ku luajnë ndeshjet e shtëpisë të kampionatit. Ideja e Juventus është ajo që të ndërtojë një stadium prej 6.000 vendesh afër Continass-as.
Ideja tunduese është ajo që të krijohet një “pol bardhezi” i vërtetë, kur tri nga katër skuadrat më të rëndësishme të klubit të luajnë pak metra larg njëra-tjetrës, ndoshta edhe në të njëjtën ditë, ndërsa ekipi i dytë dhe ekipet e tjera të moshave do të qëndrojnë në Vinovo.