Kampionati shqiptari i futbollit do rikthehet këtë fundjavë. Kjo me ndeshjet që do luhen ditën e dielë dhe të hënë e që do jenë të vlefshme për raundin e 13-të të Superiores. Vllaznia do zbresë në fushë ditën e hënë, në orën 16:30 kundër Egnatias në “Loro Boriçi”. Shkodranët që vijnë pas humbjes 2-3 në Superkupë kundër Tiranës do kërkojnë reagimin.
Patjetër kjo edhe për të pasur një ecuri pozitive në objektivin për të qenë në garë për titullin kampion. Por edhe Egnatia ka pretendimet e saj në këtë edicion, ku aktualisht rrogozhinasit janë në kuotën e 18 pikëve, vetëm 1 më pak se kuqeblutë. Megjithatë duket se historia dhe statistikat në Shkodër nuk e ndihmojnë aspak ekipin e drejtuar nga Shpëtim Duro.
Kështu Egnatia nuk ka arritur kurrë të fitojë në “Loro Boriçi”. Pavarësisht se historiku i ndeshjeve është i varfër pasi rrogozhinasit rrallë herë kanë qenë në Superiore.
Kështu në vitin 2004 Vllaznia fitonte 3-2 në Shkodër. Sukses që u përsërit edhe në vitin 2005 me shifrat 2-0 në favor të shkodranëve. Duhet të kalonin 16 vite që Egnatia të rikthehej në elitën e futbollit shqiptar sërish.
Kështu në sezonin e kaluar Egnatia do merrte një barazim 1-1 në Shkodër përballë Vllaznisë. E ndërsa do humbiste në ndeshjen e fazës së katërt me shifrat 3-1. Pra asnjë sukses në Shkodër për Egnatian, shifra që Vllaznia do kërkojë me patjetër ti pasurojë ditën e hënë në duelin kundër rrogozhinasve. Sfidë që do jetë e para nga 4 që do mbyllin këtë vit për kuqeblutë.
Endri ÇINARI