Memorali ndërkombëtar i boksit “Vllaznia 2012” po shënon një numër rekord pjesmarrësish. Ndonëse organizatorët, klubi Vllaznia, Bashkia Shkodër dhe Federata Shqiptare e Boksit ende nuk kanë sigurtuar plotësisht anën financiare që duhet për përballimin e këtij aktiviteti shumë të rëndësishëm. Ditën e djeshme ndërkohë ka mbërritur edhe konfirmimi nga shteti i 15-të që kërkon të jetë pjesmarrës në këtë Memorial që do të zhvillohet në Shkodër muajin e ardhshëm. Ai është ekipi i Egjiptit që ka shprehur dëshirën e tij për të marrë pjesë në turneun që zhvillohet në datat 9-12 mars. Me Egjiptin tashmë dhe Australinë që do marrë pjesë me vetëm boksierin e peshës 81 kg, numri i ekipeve pjesmarrëse deri tani në Memoralin e Shkodrës shkon në 15. Numër shumë i madh kur ke parasysh se organizatorët nuk i kanë çuar ftesë askujt sepse nëse do të vepronin edhe në këtë mënyrë, numri sigurisht që do ta kishte kaluar shifrën 20. Mjafton të përmendim këtu faktin që nuk janë ftuar të paktën vendet e Rajonit si Serbia, Turqia, Maqedonia, Bosnja, Kroacia, Sllovenia etj sepse po të ishin edhe ata, do të kishim një pjesmarrje rekord. Megjithatë për shqiptarët gjithmonë problemet janë në anën financiare dhe prandaj gjërat duhen shkurtuar. Pavarësisht kësaj, 15 shtetet e konfirmuara deri tani sërish janë një rekord më vete për Memorialin “Vllaznia 2012”.

www.shkodrasport.com