E diela ka qenë një ditë për t’u shënuar për Kristi Qosen. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka lënë shenjë në kampionatin ccek ku është transferuar gjatë merkato së janarit, pasi ka gjetur golin e tij të parë atje.
Futbollisti shënoi në pjesën e parë golin e avantazhit për skuadrën e tij, Karvina, përballë Pribram, duke u konfirmuar se nuk është thjesht një mesfushor me tipare mbrojtëse por ka edhe nuhatje të mirë para portës kundërshtare.
Kështu, ai shfrytëzoi një goditje dënimi të ekipit të tij për të shtyrë topin në rrjetë si një gjahtar goli dhe i dha avantazhin Karvina që fitoi 2-0 dhe mban gjallë shpresat për t’u larguar nga grupi i skuadrave që do të luftojnë në play-off për mbijetesën.
Edhe festimi i golit të tij të parë në Republikën Çeke ishte për t’u mbajtur mend. Qose kërkoi topin dhe e futi nën fanellë, dedikim që lë pak vend për interpretim për atë që presin të festojnë në familjen e mesfushorit kuqezi. /vipsport/