Ka mbërritur sot lajmi i keq për peshëngritjen shkodrane dhe atë shqiptare. Ka ardhur përgjigja nga Federata Botërore e Peshëngritjes e cila konfirmon dënimin e peshëngritësit shqiptar, Erkand Qerimaj, i cili u shpall kampion Europe në Turqi, pak kohë më parë. Atij i eshte hequr titulli i kampionit të Europës dhe të gjitha medaljet e fituara në Kampionatin Europian të Shtangës, që u zhvillua në muajin prill në Turqi. Po ashtu,ai nuk mund të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike të kësaj vere, ndërsa pezullohet nga të gjitha garat për katër vjet, më saktësisht deri më 22 maj 2016. Shkak për këtë furtunë masash ndaj tij është bërë gjetja e subsatncës së ndaluar “Methylhexanamine” në urinën e tij, gjatë testeve përkatëse anti-doping. Mesa duket ka rezultuar fatale edhe përgjigjia e analizës “B” të peshëngritësit tonë, e cila ka fundosur e përmbysur situatën e tij. Sa për sqarim, kontrolli “A” quhet kualitativ (cilësor), kurse ai “B” kuantitativ (sasior). Ky lajm është bërë i ditur në faqen zyrtare të Federatës Botërore të Peshëngritjes. Por nga ana tjetër, Qerimaj bëhet e ditur se ka vendosur ta apelojë prej kohësh këtë dënim dhe të shohim edhe masën që do vendosë ky komision.
www.shkodrasport.com