
Mbërrin edhe blerja e shtatë e Vllaznisë në këtë merkato vere. Rumuni Dani Dragoi ashtu siç pritej ka mbërritur mbrëmë në Shkodër dhe sot në orën 10.30 do të hedhë firmë në kontratë për t’u prezantuar pastaj zyrtarisht para gazetarëve. Ai ka luajtur sezonin e kaluar me Kastriotin duke bërë një paraqitje të mirë dhe pikërisht kjo paraqitje, i ka bërë drejtuesit kuqeblu të hedhin sytë drejt tij. Akordi ka kohë që është arritur me të dhe është pritur vetëm ardhja e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku banon me fAmiljen e tij. Ai luan në rolin e mesfushorit të djathtë dhe për rrjedhojë tashmë me ardhjen e tij ky repart është blinduar. Madje duket se do ketë një konkurrencë shumë të madhe sepse për çdo pozicion ka nga dy kandidatë. Në krahun e djathtë përveç Dragoit është edhe Gocaj, në të majtin luajnë Hajdari dhe Shtubina. Në qendër luajnë katër futbollistë për dy vende: Nallbani, Deliç, Belisha dhe Hasani. Pa përmendur këtu shumë të rinj si Karakaçi, Bardulla, Tafa etj që mund të huazohen në skuadra të tjera ngaqë nuk kanë hapësira në skuadër. Ardhja e Dragoit në këtë mënyrë thuajse e ka mbyllur merkaton kuqeblu sepse pritet vetëm ardhja e një sulmuesi.
Gjergj KOLA