Më në fund në lajm i mirë edhe për Sokol Çikalleshin. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, pasi nuk ka gjetur shumë hapësira me skuadrën e Goztepe, pritet të transferohet në një klub tjetër ku ka lënë shenjë edhe më parë në karrierën e tij.
Sipas mediave turke, tashmë është drejt finalizimit marrëveshja për transferimin e sulmuesit në radhët e Akhisar Beledijespor, një tjetër klub i Superligës të cilin Çikalleshi e njeh mirë.
Sulmuesi i cili në Turqi ka luajtur edhe për Bashkashehir, Osmanlispor e së fundmi Goztepe, ka qenë pjesë e Akhisar Beledijespor në pjesën e dytë të sezonit 2016-2017 duke luajtur atje me shumë rregullsi e duke e ndihmuar skuadrën me golat e tij që të siguronte mbijetesën në elitë dhe një pozicionim të shkëlqyer në kampionat, në vendin e 7.
Në 14 ndeshje që luajti Çikalleshi me këtë skuadër, arriti të shënonte 7 gola ndaj nuk është aspak për tu çuditur që në klubin turk kur kanë mësuar se ai mund të largohet nga Goztepe, kanë shpejtuar që të sigurohen të nënshkruajnë me 28-vjeçarin për të cilin ajo eksperiencë ishte më e mira në futbollin turk.
Pritet që burokracitë e firmës të mbyllen në ditët në vijim, ndërsa nuk është e qartë nëse do të kalojë përsëri si huazim apo në formë përfundimtare te skuadra e cila mban vendin e 15 në Superligën turke dhe ka nevojë për ndihmën e sulmuesit shqiptar që në këtë sezon të sigurojë mbijetesën./vipsport/