Nëse ka lojtar që e ka justifikuar plotësisht veshjen e fanellës bardhekuqe të Veleçikut këtë sezon, ai padyshim që është portieri Zamir Vjerdha. I huazuar në fillim të sezonit nga Vllaznia, 21 vjeçari ka qenë përcaktues në shumë ndeshje për skuadrën e tij me pritjet e bëra, madje në disa raste edhe të 11-metërshave të kundërshtarit.

Në një prononcim për “Shkodra Sport” vetë ai shprehet se dëshira është që sezonin e ardhshëm të jetë pjesë e Vllaznisë por nuk përjashton mundësinë të qëndrojë edhe tek Veleçiku apo të kalojë edhe në ndonjë skuadër tjetër.

Por lidhjen me koplikasit ia ka bërë më të fortë një fakt: Tifozët. I konsideron të mrekullueshëm dhe duket se mbështetja që ato i kanë dhënë, e kanë bërë të ndjehet shumë mirë dhe shanset janë të mëdha që ai të vazhdojë të luajë sërish për skuadrën e tyre edhe sezonin e ardhshëm. Ndiqni më poshtë intervistën e dhënë nga Zamir Vjerdha për “Shkodra Sport”:

– Si e vlerësoni këtë sezon për Veleçikun?

– Sezoni aktual, duke pasë parasysh objektivat e klubit besoj se janë thuajse të arritura dhe prandaj do ta konsideroja si pozitiv.

– Po në aspektin personal, si e konsideroni atë?

– Forma ka qenë optimale, por besoj se kam edhe më shumë për të dhënë, por gjithmonë duke shtuar punën në stërvitje sepse vetëm kështu mund të shkohet përpara.

– Në fund të këtij sezoni përfundon dhe huazimi juaj nga Vllaznia për tek Veleçiku. Ku do të vazhdojë karriera juaj?

– Momentalisht jam i fokusuar tek mbyllja e këtij sezoni në mënyrë sa më të mirë. Pastaj, pas përfundimit të huazimit besoj se do të jetë edhe koha e duhur për të menduar për të ardhmen.

– Rikthim sërish tek Vllaznia apo do të shihni edhe alternativa të tjera?

– Si një lojtar i dalë nga Akademia Vllaznia por edhe si shkodran normalisht që Vllaznia do të ishte zgjedhja e zemrës por më mirë t’ia lëmë së ardhmes.

– Edhe dy ndeshje deri në fund të këtij kampionati. Mund të quhet i shpëtuar Veleçiku?

– Matematikisht jo por do Zoti e marrim edhe një pikë dhe e sigurojmë edhe matematikisht këtë gjë sepse Veleçiku me ndeshjet e bukura që ka zhvilluar, e meriton këtë gjë.

– E fundit, keni ndonjë mesazh për tifozët e Veleçikut?

– Me thanë të drejtën tifozët e Veleçikut kanë qenë të mrekullueshëm dhe një shtysë e madhe për ne dhe padyshim që kanë qenë lojtari i 12-të i skuadrës. Pa mbështetjen e tyre nuk besoj se do të ishim në pozitat ku jemi sot në renditje. E vlerësojmë shumë faktin që ata nuk na kanë munguar as në “Reshit Rusi” por edhe në ndeshjet jashtë ku në shumicën e rasteve kanë qenë përkrah nesh. Prandaj dhe gjej rastin t’i falenderoj edhe publikisht.
© shkodrasport.com