Përditësimi i vlerave të lojtarëve të Kategorisë Superiore nga “Transfermarkt” ka sjellë edhe ndryshime të mëdha sa i përket renditjes së klubeve sipas vlerave të futbollistëve. E ndikuar nga afrimet dhe largimet gjatë merkatos së janarit, Kategoria Superiore tani vlen në total 51,28 milionë euro. Sigurisht, ekipi më i vlefshëm mbetet Skënderbeu, ku janë rritur vlerat e thuajse të gjithë futbollistëve të kësaj skuadre falë paraqitjeve në Europë.
Tani vlera e korçarëve në total arrin 8,58 milionë euro me Gavazajn lojtarin më të shtrenjtë.Në vendin e dytë gjendet ekipi i Kukësit, me vlerën 5,7 milionë euro, ku Elis Bakaj dhe Enea Koliçi vlejnë nga 500 mijë euro secili. Surpriza është në vendin e tretë të renditjes, ku gjendet aktualisht skuadra e Vllaznisë me një vlerë prej 5,6 milionë eurosh. Për rritjen e shkodranëve kanë kontribuuar afrimet e emrave si Malota e Sukaj, ndonëse Krymi vazhdon të mbetet futbollisti me vlerën më të lartë të lojtarëve në këtë klub i cili aktualisht gjendet në vendin e parafundit në Superiore.
Vlera aktuale prej 8,58 milionë eurosh shënon vlerësimin më të lartë për Skënderbeun në historinë e këtij klubi dhe sigurisht në atë të futbollit shqiptar, duke marrë në konsideratë faktin se rekordi i mëparshëm ishte 8,3 milionë euro dhe mbahej po nga korçarët në majin dhe qershorin e vitit 2016./vipsport/