Kategoria Superiore hyn në vitin 2020 dhe në merkaton e janarit me ndërgjegjësimin se skuadra e Partizanit është ajo e cila ka vlerën më të lartë të lojtarëve në kampionat. Skuadra kampione në fuqi, falë edhe investimeve të rëndësishme në verë, është e shkëputur nga ekipet e tjera me një vlerë në total prej 6,1 milionë eurosh në “Transfermarkt”.

Kjo vlerë do të ulet në fillimin e vitit, duke llogaritur se hyn në fuqi edhe kontrata që Jasir Asani ka nënshkruar me AIK duke u transferuar në Suedi.

Gjithsesi, të kuqtë mbeten para Kukësit të vendit të dytë që ndjek me 4,83 milionë euro vlerë totale, kryesisht falë treshes së futbollistëve që ka në repartin e avancuar me Shkurtajn, Abazajn e Gavazajn që mbajnë peshën më të madhe të ekipit në vlerësimin e përgjithshëm.

Në fakt, vendet e para pasqyrojnë rivalitetin që ka në luftën për titull, pasi jo shumë e shkëputur nga Kukësi, me 4,18 milionë euro ndjek Tirana, kurse e katërta është Teuta me 3,65 milionë euro. Vllaznia sakaq renditet ne vendin e peste me vlere 3.33 milione euro.

Surpriza e kampionatit, Bylisi, tregon edhe në këtë renditje se sa investim i kujdesshëm është bërë për të ndërtuar skuadrën. Sipas “Transfermarkt”, ballshiotët kanë aktualisht ekipin me vlerën më të ulët në Superiore, vetëm 1,63 milionë euro, gjë që tregon edhe një herë se sa shumë punë cilësore është bërë me këtë skuadër e cila përkundrejt shpenzimeve të ekipeve kryesore arrin të mbajë hapin e tyre edhe pse e ndërtuar me kosto minimale. /vipsport/