Ka qenë vërtetë një Vllazni “e frikshme” ajo e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në ndeshjen e kampionatit ndaj ekipit të Klubit Tirana. Nga 108 pikët që ka realizuar ekipi shkodran, 60 prej tyre, pra më shumë sesa gjysma, kanë ardhur nga gjuajtjet për tre pikë. Rrallë ndodh që një ndeshje basketbolli të fitohet kryesisht nga gjuajtjet jashtë zone. E ka bërë Vllaznia këtë gjë sepse basketbollistët e saj kanë realizuar plot 20 gjuajtje të sakta për 3 pikë. Një mesatare natyrisht e lartë. Por të mos harrojmë se ka patur një tjetër mesatare të lartë në këto gjuatje.

Basketbollistët e Vllaznisë kanë provuar të gjuajnë 35 herë për 3 pikë dhe nga këto, 20 gjuajtje kanë rezultuar të sakta, pra gati 60 % e gjuajtjeve ka përfunduar në kosh! Edhe kjo ndodh rrallë megjithatë Vllaznia ia ka dalë të shtunën në ndeshjen ndaj klubit Tirana. Nga ana tjetër, më i sakti në këto gjuajtje jashtë zone, ka qenë basketbollisti malazez me numrin 12, Nikolla Gjokoviç. Ai ka realizuar 8 gjuajtje të sakta. Pas tij vjen maqedonasi Markovski me 7 gjuajtje të sakta, i treti është malazezi tjetër Dragiçeviç me 3 gjuajtje të sakta ndërsa nga një kanë realizuar dy shkodranët, Berdica dhe Huti. Në këtë mënyrë, kjo ndeshje ka për t’u mbajtur mend gjatë në Shkodër. Fitorja e thellë me 42 pikë ndaj një ekipi pretendent dhe për më tepër, shifrat e mësipërme do mbesin në mendjen e të gjithëve.
www.shkodrasport.com