Nëse do të shohësh futboll bio, mos u mendo dy herë. Merr makinën dhe shko në Shkodër, aty “ku t’tana bahen”, futesh në një botë tjetër krejt dimensionalisht. Dje, kuqeblutë u përfaqësuan në arenën ndërkombëtare nga vajzat kuqeblu.

Vllaznia barazoi në shtëpi 1-1 kundër Vorskla Kharkiv, e vlefshme për Woman Champions League për raundin e “Play-Off”. Rezultati në të vërtetë nuk përligj atë që shkodranet dhanë në fushën e blertë. Vllaznia shkëlqeu në stadiumin “Loro Boriçi” që dje ishte i tejmbushur.

Për tifozët shkodranë nuk ka rëndësi nëse luajnë meshkujt apo femrat, mjafto që në fushë të shëtitet fanela e Vllaznisë dhe ata janë aty për të dhënë kontributin e tyre. Megi Doçi, ishte heroina e shkodranëve, që për nga mënyra se lëviz gjatë 90 minutave na kujton të artin Vioresin Sinani që shkëlqente dhe jepte leksione spektakli. Vetëm rrjeta mund ta ndalte sulmuesen e njohur që njëkohësisht i shërben me devotishmëri edhe kombëtares shqiptare.

Fillimi i takimit ishte i bukur për 25-vjeçaren. U “qeras” si çdo vit plot meritë nga Federata Shqiptare e Futbollit me trofeun e Këpucës së Artë. Dhe si për t’i treguar gjithë atyre sportdashësve që kishin zbarkuar në stadiumin “Loro Boriçi” se e meriton atë çmim, ishte e pandalshme duke qenë rrezik konstant për ekipin ukrainas.

“Hesapet” janë të hapura. Barazimi nuk çon në grupe asnjërën nga skuadrat. Në Shkodër janë optimistë se do të ndodhë mrekullia. Për herë të parë një ekip femrash do të luajë në grupet e Champions League. Për Shqipërinë nuk do të jetë më një ëndërr, pasi qyteti i Shkodrës është gati të valëvisë flamurin kuqezi mes më të mirave të Europës./newsport/