Vllaznia është kualifikuar për në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë ndonëse ka barazuar 0-0 me Kastriotin në ndeshjen e kthimit të turit të dytë. Ky takim është luajtur pasditen e së mërkurës në stadiumin “Loro Boriçi” dhe nuk ka dhuruar shumë emocione. Trajneri i skuadrës shkodrane Raineri kishte aktivizuar disa nga titullarët e pikërisht Selimajn, Gocajn, Sykajn, Tafilin e Hajdarin ndërsa pjesën tjetër të ekipit e ka mbushur me futbollistë që nuk kanë luajtur shumë në kampionat.
Pavarësisht kësaj, kuqeblutë nuk e kanë dominuar ndeshjen ndoshta nisur edhe nga fakti se kualifikimi ishte siguruar që në ndeshjen e parë në Krujë të fituar 4-0 prej tyre. Me kualifikimin e sotëm, Vllaznia kalon në tetëshe të Kupës, tur në të cilin do të ketë përballë ekipin e Kukësit. Për trajnerin Raineri, ndeshja e sotme nuk kishte shumë rëndësi ngaqë kualifikimi ishte zgjidhur që në ndeshjen e parë. Ndërsa trajneri i Kastriotit, Alert Alcani ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në ndeshjen e parë që ai e drejton. Ndeshjet e kupës tashmë do i lënë vendin atyre të kampionatit teksa ditën e shtunë Vllaznia do të presë në Shkodër ekipin e Flamurtarit dhe ditën e nesërme do të mësohet zyrtarisht nëse kjo ndeshje do të luhet me tifozë apo jo sepse drejtuesit e klubit kanë ndër mend të paguajnë për dënimin e mbetur dhe të rikthejnë tifozët në shkallët e stadiumit.
© shkodrasport.com