Tre ndeshje- tre fitore për Vllazninë e femrave dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Kampionia në fuqi e vendit kryeson me meritë edhe renditjen e kampionatit pas 270 minutave të para të tij.
Pasditen e sotme vajzat kuqeblu kanë arritur një fitore të lehtë ndaj Bilisht Sport në shifrat 14-0 në takimin e luajtur në kompleksin sportiv “Hasaj”.
Mes dy ekipeve kuptohet që ka patur disnivel të madh dhe për rrjedhojë vajzat kuqeblu nuk e kanë patur të vështirë të shënojnë disa herë në këtë takim.
E mirënjohura Megi Doçi është autore e plot 6 golave në këtë takim ndërkohë që sulmuesja amerikane Amanda Doyle ka shënuar 3 herë. Dy gola të tjerë mbajnë firmën e sulmueses Lufo, ndërsa nga një gol kanë shënuar Franja, Gjergji dhe amerikania tjetër Dauzat.
Vllaznia me 9 pikë udhëheq renditjen por po me kaq pikë është edhe Apolonia. Ndërkohë, duhet veçuar golaverazhi i ekipit shkodran është për t’u shënuar: 32 gola të shënuar dhe asnjë i pësuar.
Përballja e javës së ardhshme në “Arena Kombëtare” në mes Vllaznisë dhe Apolonisë jo vetëm do t’u japë kënaqësinë e inagurimit të stadiumit të ri kombëtar futbollisteve të këtyre dy ekipeve, por ajo ndeshja do të përcaktojë edhe faktin se kush do të jetë kryesuesi i vetëm i renditjes.
© shkodrasport.com