Me fitore e ka mbyllur edhe ndeshjen e dytë miqësore të kësaj jave ekipi i Vllaznisë. Këtë herë ai ka mundur me rezultatin 2-1 ekipin “Otrant” të Ulqinit. Ndeshja është zhvilluar pasditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës dhe ishte menduar që të kishte një organizim të veçantë në shenjë solidarimi për të mbledhur fonde për ish- futbollistin e Vllaznisë Luan Vukatana që po kalon momente të vështira të jetës së tij. Megjithatë reshjet e shumta të shiut që kanë rënë papushim gjatë gjithë pasdites kanë bërë që në të pranishëm të jenë pak tifozë megjithatë qëllimi i këtij takimi u arrit.
Sa i takon ndeshjes, të dy ekipet e kanë nisur lojën me formacionet e tyre më të mira. Trajneri Grima ka hedhur nga minuta e parë portierin Dragojeviç e me rradhë: Pjeshka, Cicmil, Borshi, Arbri, Krymi, Sefa, Ahmeti, Lushtaku, Kalaja dhe Soza. Takimi është drejtuar nga një treshe shkodrane me kryesor Agron Kastratin dhe ndihmës të tij Fisnik Thorjen dhe Jetmir Podgoricën. Skuadra ulqinake ndërkohë ka patur në rradhët e saj edhe disa futbollistë koreanë ashtu siç ka qenë në tribunë edhe presidenti i këtij ekipi- Choi, i cili pak kohë më parë siç dihet shprehur dëshirën të merrte edhe Vllazninë. Në pjesën e parë, Mollabeqiri do të shënonte për Otrant dhe pjesa e parë do të mbyllej 1-0 për të ndonëse Krymi arrin të godasë traversën në një moment por pa shënuar dot për kuqeblutë. Në të dytën në lojë për kuqeblutë do të ishin edhe Sherri, Ruqi, Haxhaj, Kapaklija, Bardulla, Beci, Dyca, Haxhibuliçi, Çinari dhe Paviçeviç. Në minutat e para të kësaj pjese do ishte Pjeshka që me kokë do të barazonte shifrat në ’48 ndërsa më pas, futbollistët e Vllaznisë do të arrinin të godisnin plot katër herë shtyllat me anë të Kirit, Paviçeviç, Çinarit dhe Bardullës por pa shënuar dot. Megjithatë në ’80 Paviçeviç do të arrinte ta dërgonte topin në rrjetë dhe krejt ndeshja do të përfundonte kësisoj me fitoren 2-1 të shkodranëve. Një miqësore e cila ia arriti qëllimit ndërkohë që nga e hëna, Vllaznia do të nisë përgatitjet për sfidën e rradhës, atë që do të zhvillojnë në Pukë ndaj Tërbunit.
www.shkodrasport.com