Drejtuesit e klubit shkodran, pavarësisht vështirësive ekonomike, duket se kanë hedhur një hap të sigurt drejt licencimit të Vllaznisë për në Kupat e Europës.
Ditën e djeshme kryebashkiakja Voltana Ademi, përmes një postimi në faqen e saj zyrtare ka zbuluar se Bashkia Shkodër, së bashku me sponsorin Alban Xhaferi, si dhe në bashkëpunim me FSHF-në kanë paguar 39,166,600 lekë për sigurimet shoqërore dhe tatimet në mënyrë që klubi të ketë mundësi të licencohet në Europë. Shifra prej afro 400 milionë lekësh ka të bëjë me pagesën e kushtit fillestar 20% të totalit të borxhit, si dhe këstin e parë të marrëveshjes së vendosur mes palëve.
POSTIMI I ADEMIT – Në lidhje me arritjen e marrëveshjes dhe pagesës së kryer, kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltan Ademi, në profilin e saj shkruan: “Dua të jap një lajm shumë të mirë për të gjithë tifozërinë. Të premten kemi realizuar pagesën e detyrimeve për sigurimet shoqërore dhe tatimore në vlerën 39,166,600 lekë, kusht për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet klubit të futbollit Vllaznia dhe Drejtorisë Rajonale Tatimore Shkodër.
Kjo u realizua në sajë të bashkëfinancimit ndërmjet Bashkisë Shkodër, sponsorit z. Alban Xhaferi – AlbaPhoto shpk – distributor i autorizuar i Fujifilm për rajonin, dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Falënderoj të gjithë tifozërinë, shkodranët anekënd, shqiptarët që ndjekin Vllazninë në mbarë botën. Falënderoj për bashkëpunimin z. Xhaferi, Federatën Shqiptare të Futbollit, dhe për gatishmërinë z.Agron Hasanaj, Drejtoria Rajonale Tatimore Shkodër”.
KONKRETIZIMI – Përkushtimi i kryebashkiakes Ademi, por edhe i sponsorit Xhaferi në këtë proces ka qenë i dukshëm. Një përkushtim që ka kohë që kishte nisur, por që ka filluar konkretizimin që ditën e enjte të javës që shkoi dhe ka përfunduar me një marrëveshje, pikërisht gjatë ditës së djeshme.
Pavarësisht mosmiratimit të shumës së propozuar prej 82 milionë lekësh të rinj nga Këshilli Bashkiak, kryebashkiakja, Ademi dhe sponsori Xhaferi kanë arritur që të derdhin në arkën e shtetit një shumë prej 39.166.600 lekësh të reja, ku mesa mësohet është vlera fillestare e 20% të detyrimit të aktmarrëveshjes që duhet paguar njëherësh, si dhe njërit prej kësteve të vendosura për t’u paguar.
KËSTET – Vllaznia, sipas ligjit dhe asaj që është shkruar në aktmarrëveshjen mes palëve, do të arrijë që të shlyejë borxhin deri në fund të vitit 2022. Nga sa mësohet nga dega e Tatimeve në Shkodër, Vllaznia do të likuidojë sipas ligjit në fuqi dhe aktmarrëveshjes së bërë shumën totale të borxhit deri në fund të 2022-shit. Kësti i parë, sipas marrëveshjes së lidhur do të paguhet në muajin prill 2021.
“Panorama Sport” mëson se nisur nga shuma e mbetur nga borxhi total duke zbritur shumën e paguar prej 39.166.600 lekësh, i bie që klubi të paguajë 21 këste deri në fund të vitit të ardhshëm. Sipas përllogaritjeve nga borxhi i mbetur për të shlyer nga klubi, i bie që “KF Vllaznia” sh.a. të paguajë çdo muaj deri në të fund të 2022-shit këstin afërsisht 62 milionë dhe 400 mijë lekë të vjetër.
Një shumë kjo që sërish do të dalë nga fondet e Bashkisë Shkodër, ku edhe në rast të shitjes së aksioneve të klubit, institucioni vendor do të jetë i detyruar t’i shlyejë, nëse nuk ka ndonjë zhvillim tjetër për likuidimin e këtij borxhi ndaj degës së tatimeve të Shkodrës.
PAGESA – Pas arritjes së marrëveshjes, në ambientin sportiv shkodran, ajo që nuk ka shumë rëndësi është se kush e ka derdhur në arkën e degës së tatimeve këtë shumë. Nisur nga falënderimet e kryebashkiakes Ademi, duket se sponsori Xhaferi, si dhe FSHF-ja janë dy kontribuueset që kanë zgjidhur momentalisht problemin financiar të kuqebluve.
Nuk dihet nëse shuma është mbuluar totalisht nga sponsori Xhaferi apo ka patur edhe FSHFja pjesën e vet, e rëndësishme është që shuma tanimë është likuiduar. Por, sërish Bashkia e Shkodër do të jetë ajo që do të rimbursojë në vijim në llogaritë e Xhaferit apo të FSHF-së këtë vlerë të paguar aktualisht.