Zhurma e krijuar ditët e fundit në lidhje me një eksod të mundshëm të lojtarëve nga Vllaznia, nuk rezulton të jetë e vërtetë.

Burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se deri më tani i larguari i vetëm është mesfushori Arlind Kalaja, të cilit i ka mbaruar kontrata dhe për këtë arsye, ai zgjodhi të vazhdojë karrierën tek Kukësi.

Të tjerët ende dihet me saktësi se çfarë do të bëjnë. Përveç Kalajës, mësohet se janë edhe 3-4 futbollistë të tjerë të cilëve u ka mbaruar kontrata dhe ndër to janë edhe fieraku Ribaj dhe gjirokastriti Mersini apo dhe Sukaj.

Pjesa tjetër e ekipit, ose më saktë rreth 80 për qind e tij, është nën kontratë me Vllazninë dhe një ndër pikat e tyre janë edhe disa opsione të rishikimit.

Megjithatë, deri më sot asnjë futbollist nuk është paraqitur në klub për të tërhequr dokumentacionin ose për të bërë kërkesë për t’u larguar.

Klubi shkodran pak ditë më parë përmes një komunikate për shtyp bëri të ditur se asnjë nga futbollistët që janë nën kontratë nuk do të largohet sepse ato, bashkë edhe me të tjerë që do të vijnë nga merkatoja apo dhe futbollistë të rinj, do të jenë baza e ekipit në sezonin e ri.

Ky kontigjent lojtarësh do të ketë për detyrë ringritjen e Vllaznisë sërish në Superligë.

Gjithsesi lista përfundimtare e ekipit kuqeblu nuk mund të zbardhet për momentin sepse çdo gjë do të vendoset nga stafi i ri teknik që do të emërohet në krye të tij.

E rëndësishme është që skuadra e ka një bazë, madje edhe lojtarë me përvojë. Ata, bashkë me elementët e rinj do të jenë elementët e duhur megjithatë duhet pritur edhe pak ditë para se të vendosen për shumë gjëra që kanë të bëjnë me Vllazninë e sezonit të ri.
www.shkodrasport.com