
Kampionati i moshës 12 vjeçare për Ligen Amatore në Zonën e Veriut është mbyllur sot me ndeshjen Vllaznia A- Shpresa, teksa në fund të saj është shpallur kampion ekipi Vllaznia A me trajner Luan Zmijanin. Këto kanë qenë ndeshjet e javës së fundit të këtij kampionati ku morën pjesë të gjithë ekipet e rajonit të Shkodrës dhe në fund natyrisht që ka patur vend edhe për një ceremoni interesante për të kurorëzuar fituesit. Ai që ka përshëndetur futbollistët e vegjël, ka qenë shefi i Zyrës Rajonale të Federatës Shqiptare të Futbollit Hysen Zmijani që ka thënë: “Mendoj se ishte një kampionat i bukur që në fund nxorri fitues besoj ekipin më të mirë, atë të Vllaznisë që drejtohet nga Luan Zmijani. Edhe për mua personalisht, është një kënaqësi që ky trajner tregoi se është i suksesshëm duke punuar kështu për Vllazninë, për futbollin shkodran”. Pas përshëndetjes, shefi Zmijani i ka dorëzuar kupën e kampionatit kapitenit të ekipit të Vllaznisë, Arvin Ishmakej dhe festa ka filluar për 12 vjeçarët kuqeblu teksa të gjithë futbollistët kanë kaluar kupën nëpër duar duke iu gëzuar suksesit të tyre të parë në karrierën e saponisur. Pas këtij suksesi, trajneri i ekipit Vllaznia A, Luan Zmijani është shprehur kështu për gazetën online
www.shkodrasport.com: “Sigurisht që është bukur kur shpallesh kampion. Kjo është kënaqësi për të gjithë, aq më shumë edhe për mua si trajner teksa tashmë po shijoj suksese edhe në këtë zanat të ri ashtu siç kam bërë kur kam qenë futbollist. E rëndësishme është që këto fëmijë kanë dhunti të mira dhe ne po punojmë që ata t’i shërbejnë Vllaznisë në këtë ardhmen”. Në këtë mënyrë, një kampionat tashmë është mbyllur ku përveç numrit të madh të fëmijëve që janë aktivizuar me këto ekipe, sytë e specialistëve duhen hedhur edhe më shumë tek ta sepse ata janë e ardhmja e futbollit shkodran.
Gjergj KOLA