Ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjes miqësore që kombëtarja shqiptare do të zhvillojë me atë turke, do të shfrytëzohet nga drejtuesit e ekipit të Vllaznisë për të zhvilluar një ndeshje miqësore. Ajo do të zhvillohet me shumë gjasa ditën e shtunë dhe përballë saj do të jetë ekipi “Vllaznia B”.
Trajnerët Gjoka e Kraja kanë rënë dakord për luajtjen e kësaj ndeshje e cila do t’i shërbejë atyre për të parë gjendjet e ekipeve por nga ana tjetër edhe për të parë në ekipin e dytë për ndonjë element që mund t’i vlejë në të ardhmen. Deri më tani duhet thënë se Gjoka nuk ka mundur të shohë dot asnjë ndeshje të “Vllaznisë B” sepse ato kanë përkuar me takimet e ekipit të tij. Dhe kjo në fakt nuk është shumë normale sepse vetë krijimi i ekipeve të dyta është bërë për t’i shërbyer atyre të parave. Për këtë arsye, miqësorja e së shtunës pritet të jetë vetëm hapi i parë i një bashkëpunimi të frutshëm në mes dy ekipeve dhe kjo natyrisht që do t’i bëjë mirë vetëm Vllaznisë.
© shkodrasport.com