Për kuqeblutë vjen edhe miqësorja e tretë. Ajo do të zhvillohet ditën e mërkurë në orën 14.30 në fushën sportive “Reshit Rusi”. Kundërshtari i saj në këtë miqësore do të jetë ekipi i Adës. Në fakt, ka qenë planifikuar që kjo miqësore të luhej në Velipojë, pikërisht në fushën sportive “Adriatik” por reshjet e shumta të shiut që kanë rënë gjatë gjithë ditës së sotme, e kanë bërë të pamundur një gjë të tillë. Në kushte të tilla, skuadra shkodrane do të jetë e detyruar të lërë qytezën bregdetare mesditën e nesërme dhe të marrë rrugën drejt Shkodrës për ta luajtur këtë miqësore.

Kjo do jetë prova e tretë për Vllazninë pas fitores në të parën me Tërbunin 4-2 dhe barazimit 0-0 në miqësoren e dytë me Tiranën. Trajneri Canaj ka ndër mend ta mbyllë serinë e miqësoreve para se të mendojë për ndeshjen e kampionatit me Skënderbeun, duke zhvilluar një tjetër takim por këtë herë jashtë Shkodrës. Madje, do jetë një takim jashtë Shqipërisë. Me shumë mundësi, do të jetë një miqësore që do të zhvillohet në Nikshiq të Malit të Zi ndaj skuadrës vendase Çelik. Edhe këto dy takime do jenë një provë për tre futbollistët e rinj të ardhur në skuadër dhe pikërisht Zefin, Markun dhe Shabën.

© shkodrasport.com