Edhe miqësorja e dytë nuk ka shkuar ashtu siç duhet për Vllazninë. Pasditen e sotme ajo nuk ka shkuar më tepër se tek barazimi 0-0 ndaj Adës. Ndeshja është luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”  dhe është ndjekur nga një masë e madhe tifozësh të cilët kishin interes për të parë skuadrën e tyre në fushën e lojës. Megjithatë ajo çfarë kanë vërejtur, nuk ka qenë ajo që pritej. Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro ka çaluar sidomos në manovrën sulmuese dhe në këtë mënyrë vërehen edhe njëherë tjetër problemet tek gjetja e golit. Mungesa e tij në dy miqësoret e zhvilluara së fundi, e vërteton më së miri këtë. Në ndeshjen e djeshme trajneri Duro ka hedhur në fushë të njëjtin formacion si në ndeshjen e para dy ditëve me Mornarin por me një ndryshim të vetëm. Në fushë ka qenë serbi Stasiç në vend të Hysës së dëmtuar por ai nuk ka bindur dhe do largohet nga Vllaznia. Të tjerët kanë qenë ata 10 futbollistë që mendohet të jenë titullarë në sezonin e ri. Por në fakt gjatë pjesës së parë, Vllaznia nuk ka bindur aq shumë. Sigurisht që ajo e ka dominuar lojën por jo në atë nivel që pritej. Edhe rastet e krijuara kanë qenë më tepër sporadike teksa Dragoi në 2-3 momente ka shpërdoruar shumë. Në të dytën ndërkohë, trajneri I Adës Samuel Nikaj ka hedhur në fushë 11 futbollistë të tjerë ndërkohë që tek Vllaznia janë kryer vetëm 6 zëvendësime. Loja e saj megjithatë sërish nuk rritet. Në minutat e fundit ndërkohë është Ada që kërkon golin e fitores me dy goditje të bukura të Kurtajt dhe Harushës. Përfundimisht barazim në një ndeshje që nuk ka kënaqur askënd, as tifozët dhe as vetë stafin drejtues të Vllaznisë.

Vllaznia: Vujadinoviç, Smajli, Beqiri, Osmani, Belisha, Dragoi, Nallbani, Deliç, Shtubina, Hajdari, Stasiç. Tr. Sh. Duro. U aktivizuan: Bardulla, Hasani, Guri, Kraja, Dema, Gjokoviç.
Ada: Fishta, Ferlushkaj, Isufi, Çoba, Tota, Gjondrekaj, Pllumaj, Gokaj, Halili, Çeka, Puka. Tr. S. Nikaj. U aktivizuan: Kurti, Kaçi, Taipi, Belushi, Banushi, Draboja, Grimci, Doçi, Papa, Zefi.
Gjyqtarë: A. Kastrati, S. Zekaj, N. Sterkaj (Shkodër)

www.shkodrasport.com