Pavarësisht se merka toja është zyrtarisht e mbyllur, drejtuesit e Vllaznisë vijojnë punën për të përforcuar skuadrën. Ka mjaftuar një gabim i Sherrit dhe numri një i pankinës shkodrane, Mirsad Jonuz, ka kërkuar një përforcim për portën.
“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se është afruar një portier me përvojë si Andreja Efremov, i cili sëfundmi ka luajtur me Sileksin në Maqedoni.
PORTIERI – Lojtari i datëlindjes 2 shtator 1992 (27 vjeç) është aktivizuar me disa skuadra. Gjashtë vitet e para të karrierës së tij i ka kaluar me ekipin e Metalurgut të Shkupit dhe më pas është aktivizuar me Rabotniçkin, Renovën, ku madje ka shënuar edhe një gol e po ashtu edhe me portugezët e Famalikaos.
Dy sezone më parë, portieri është aktivizuar edhe me bullgarët e Lokomotiva Sofia, ku ka luajtur në 18 takime. Sa i përket ecurisë me ekipet përfaqësuese, ai është aktivizuar me kombëtaret U-19 dhe U-21 e është aktivizuar në një takim të vetëm edhe me ekipin kombëtar të Maqedonisë.
REGJISTRIMI – Portieri 191 centimetra i gjatë do të federohet si pjesë e ekipit të Vllaznisë B. Ai madje duhet që të zhvillojë një takim në Kategorinë e Dytë me këtë skuadër dhe më pas të kalojë dhe të aktivizohet tek ekipi i parë. Ai është pjesë e listës së federimeve të ekipit të dytë të Vllaznisë.
Mesa duket, tani konkurrenca do të jetë e madhe edhe për portën. Një gabim i Sherrit në ndeshjen e fundit me Tiranën, duket se i kushtoi jo pak atij, por ishte e pakuptimtë sesi tekniku Jonuz nuk besoi te Laço apo Qarri, të cilët që prej periudhës së verës, po presin shansin që të marrin një vend në formacion si titullarë.