Në repartet e tjera, skuadra edhe mund “të arnohej”. Në sulm jo. Sepse nuk ka patur asnjë lojtar që mund të zgjidhë punë ashtu siç duhet. Edhe sulmuesit e vetëm që janë në skuadër, dy të rinjtë Gjini dhe Erkoçeviç nuk janë duke e bindur shumë trajnerin Vata. Në kushte të tilla, dje drejtuesit e Vllaznisë janë detyruar të bëjnë “prapa-kthehu” në qëndrimin e tyre ndaj futbollistit malazez Ivan Jabllan.
Nëse në fillim kërkesa e tij financiare për 15 mijë për këto 5 muaj që ai do qëndrojë në Shkodër, u duk e ekzagjeruar, drejtuesit kuqeblu duke e parë se nuk kishin asnjë zgjidhje tjetër më të mirë, kanë vendosur ta pranojnë ofertën e lojtarit. Përmes gazetarit të mirënjohur Ymer Striniqi që ka ndërmjetësuar këtë lëvizje, ata I kanë telefonuar sulmuesit malazez dhe pasditen e djeshme ai ka mbërritur në Shkodër për të kryer bisedimet me drejtuesit e klubit.Në këto bisedime ka qenë vetë nënkryetari I Bashkisë Ritvan Troshani që ka negociuar dhe në fund është rënë parimisht dakord që marrëveshja të mbyllet dhe ajo të jetë 6 mujore me opsion shtyrjen edhe një vit tjetër nëse palët janë dakord në fund të këtij sezoni. Tashmë ka mbetur vetëm hedhja e firmës dhe ky proces nuk është kryer dje por është lënë për të enjten paradite. Ndërkohë drejtuesit e Vllaznisë I kanë kërkuar sulmuesit Jabllan që të bashkohet menjëherë me skuadrën dhe ai mbrëmë ka udhëtuar drejt Ulqinit teksa është bashkuar me të, ka biseduar gjatë me trajnerin Vata sapo është sistemuar në hotel “Dajti” ku ndodhet Vllaznia dhe paraditen e sotme do të zhvillojë seancën e parë stërvitore me kuqeblutë. Pavarësisht se ende nuk mund të quhet zyrtarisht pjesë e skuadrës shkodrane ngaqë nuk ka hedhur firmë në kontratë, Ivan Jabllan tashmë mund të konsiderohet pjesë e saj duke qenë kësisoj e dyta blerje e kuqebluve në merkaton e janarit. Ashtu si dhe blerja e parë, edhe ky I dyti është nga Mali I Zi. Në këtë mënyrë tek Vllaznia gradualisht po formohet sërish një “Koloni” malazezësh sepse në skuadër nga ky vend janë dy portierët Vujadinoviç e Gjokoviç, është mbrojtësi Popoviç (pa përmendur Petroviçin që duket drejt largimit), mesfushori Brnoviç dhe tashmë edhe sulmuesi Jabllan. Ky I fundit vjen nga ekipi Llovçen I Cetinjës, është nga sulmuesit më të mirë të kampionatit malazez prej vitesh dhe ka një përvojë shumë të madhe sportive. Vërtetë është 32 vjeç por me përvojën e tij të madhe, shpresohet ta ndihmojë Vllazninë në ndryshimin e situatës së saj në gjysmën e dytë të sezonit. Në të parin prononcim, Jabllan është shprehur: “Jam I kënaqur që arritëm marrëveshjen me drejtuesit e Vllaznisë dhe ajo çfarë I garantoj unë drejtuesit e klubit por edhe tifozët e kësaj skuadre është se do jap jo 100 por 200 për qind të mundësive të mia, në mënyrë që skuadra të marrë rezultatet e duhura”. Kuqeblutë në këtë mënyrë kanë filluar të marrin formën e plotë edhe pas kësaj marrëveshje të arritur apo dhe të ndonjë tjetre që mund të arrihet në ditët në vazhdim. Përveç Jabllan, skuadra shkodrane edhe duke kërkuar edhe për një sulmues tjetër teksa ka filluar interesimi për një futbollist serb megjithatë ende nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim. E rëdësishme është që tashmë një sulmues Vllaznia e ka sepse pas largimit të Sukajt dhe Vajushit, ky repart ishte “në pikë të hallit”.
www.shkodrasport.com