Udhëtimi i drejtuesve të Vllaznisë drejt Podgoricës mbrëmjen e së enjtes për të ndjekur ndeshjen Mlladost- Sevilja, nuk u ka shkuar krejt kot. Pavarësisht se rezultati përfundimtar i ndeshjes (1-6 për spanjollët) nuk ka lënë shumë vend për diskutim për vlerat e futbollistëve malazezë, sërish diçka është arritur. Me portierin Vujadinoviç është arritur akordi përfundimtar dhe ai pritet të jetë pjesë e Vllaznisë në sezonin e ri. Për këtë arsye, ditën e sotme ai mendohet të jetë në Shkodër për të mbyllur gjithçka me drejtuesit kuqeblu ndërsa të hënën ai do të nisë stërvitjen me këtë ekip. Ndërkohë, dyshja Grima- Canaj që kishte udhëtuar drejt Podgoricës mbrëmjen e së enjtes për të ndjekur sulmuesin Knezeviç, nuk kanë mbetur aspak të kënaqur me paraqitjen e tij në minutat që ka luajtur ndërkohë u ka rënë në sy një tjetër sulmues, Bozhoviç me të cilin kanë nisur tratativat për mundësinën e veshjes kuqeblu për sezonin e ri futbollistik.

Miroslav Vujadinoviç
Vllaznia tashmë e ka gjetur portierin. Për të katërtin sezon me rradhë, portën e saj do ta mbrojë malazezi Miroslav Vujadinoviç. Me të është arritur akordi përfundimtar mbrëmjen e së enjtes dhe tashmë ka mbetur vetëm hedhja e firmës dhe nisja e stërvitjes me ekipin. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë klubit shkodran. Në ndeshjen e Europa League ndaj Seviljes, ai ka pësuar 6 gola por kuptohet që nuk ka qenë fajtor për pësimin e tyre por diferenca mes dy ekipeve. Dyshja Grima- Canaj nuk ka patur shumë nevojë të verifikojë formën e tij apo ta testojë atë. Thjesht është biseduar për kushtet e kontratës dhe akordi është arritur. “Vujke” pritet të mbërrijë sot në Shkodër për të biseduar me drejtuesit e lartë të klubit edhe për detajet e fundit të kontratës dhe të hënën do të nisë stërvitjen me ekipin. Në këtë mënyrë, merr fund njëri “merak” i trajnerit Agim Canaj për të siguruar portën. Me Vujadinoviç gjërat duken tashmë në rregull.
Bozho Markoviç
Dyshja Grima- Canaj në udhëtimin e tyre drejt Malit të Zi kanë patur si objektiv të ndjekin në ndeshje sulmuesin Ivan Knezeviç. Por në fakt, udhëtimi i tyre nuk ka rezultuar shumë i vlefshëm. Knezeviç që ka luajtur me numrin 9, nuk ka qenë në fushë nga minuta e parë sepse trajneri i Mlladost ka preferuar një sulmues tjetër. Knezeviç ka hyrë në fushë në minutën e 62-të në vend të Markoviç. Në 28 minutat që ka luajtur, ai nuk ka treguar asgjë nga vlerat e tij të vërteta dhe prandaj trajneri Canaj ka mbetur shumë i zhgënjyer nga ajo çfarë ky futbollist ka treguar në fushë. Megjithatë, atij i ka pëlqyer një tjetër futbollist. Pikërisht lojtari me numër 8 në këtë ndeshje, Bozho Markoviç. Sulmuesi 24 vjeçar pavarësisht se përballë ka patur një mbrojtje shumë të fortë të Seviljes, ka qenë gjithnjë ngacmues për të dhe problematik. Për këto veti të shfaqura, drejtuesit e Vllaznisë kanë angazhuar një menaxher të afërt me ta, për të biseduar rreth mundësisë së firmosjes të një kontrate me Vllazninë për sezonin e ri. Nëse do arrihej kjo gjë, atëherë do të realizohej edhe objektivi tjetër në merkato i trajnerit Canaj për të kompletuar edhe sulmin.
Gjergj KOLA

Rajoviç një tjetër opsion në merkato
Përforcimet e Vllaznisë në sezonin e ri mund të përfshijnë edhe mbrojtësin Blazhe Rajoviç. Edhe me të është biseduar ditën e enjte dhe është lënë që ai të kthejë përgjigje në dy- tre ditët e ardhshme. Nga sa duket, për mbrojtësin shtatëlartë që ka luajtur prej katër sezonesh në futbollin shqiptar, dy me Vllazninë dhe dy me Flamurtarin, ka shfaqur interes edhe ekipi i Kukësit. Nëse nuk arrihet kjo lëvizje, atëherë Blazhe Rajoviç mund të firmosë në Shkodër.  Ky do të ishte një përforcim i rëndësishëm për këtë skuadër edhe për më tepër, do t’i dhuronte një kënaqësi edhe tifozëve kuqeblu të cilët ruajnë mbresa të mira për këtë futbollist.