Dje ndoshta duhej të ishte analiza e sezonit që po mbyllet. Drejtuesit kuqeblu në njëfarë mënyre këtë gjë kishin programuar. Kthimin e kryebashkiakut- president Lorenc Luka ku ai gjendej prej ditësh dhe bisedimin me të për shumë gjëra. Në fakt nuk ka ndodhur kështu. Kjo e ka një justifikim. Vllaznia ende “nuk I ka mbyllur hesapet” me sezonin aktual. Ndodhi kështu pikërisht me barazimin e fundit të arritur ndaj Tomorit në “Loro Boriçi”. Të gjithë në Shkodër e kishin menduar ndryshe këtë ndeshje. Mbi të gjitha një fitore të kuqebluve, ndoshta pa një lojë të bukur por me një rezultat minimal. Në fakt nuk ndodhi as njëra dhe as tjetra. Loja e kuqebluve ka lënë shumë për të dëshiruar dhe po ashtu, nuk u shënua qoftë edhe një gol. Sulmi I tyre vazhdon të mos bindë. I vetmi që lëvizi diçka ishte Hajdari por edhe ai nuk mundi t’I jepte fitoren Vllaznisë sepse trajneri kundërshtar Ernest Gjoka I kishte vënë “pullë poste’ Gjylën për ta bllokuar. Sa për Jabllan, ai vazhdon “të mos ekzistojë” në fushën e lojës duke mos krijuar asnjë rast në portën kundërshtare ndonëse kryen volum të madh loje. Përveç Hajdarit edhe Smajli përpiqet diçka, madje goditi edhe traversën në këtë ndeshje por jo të shënonte. Më e bukura është se stafi drejtues I skuadrës shkodrane, vetëm këtyre dy lojtarëve dëgjohej t’u bërtiste gjatë gjithë ndeshjes, me shpresën e madhe se vetëm ata mund ta nxirrnin skuadrën nga ajo situatë. Të tjerët “ishin në gjumë”. E pajustifikueshme një situatë e tillë. Aq më tepër që plot 7 futbollistë ishin lënë pushim për ndeshjen e Korçës për të qenë më të gatshhëm për këtë ndeshje. Në fushë ndaj Tomorit në fakt vetëm freski nuk u konstatua tek asnjëri prej futbollistëve. Kjo skuadre duket se nuk po “I bën derman” as Grima. Me largimin e Vatës, u mendua se klima do ndryshonte për mirë disi sepse lojtarët do ishin më të çliruar por po konfirmohet e kundërta tashmë. Vllaznia nga afër vendit të katërt, tashmë e sheh veten ende të rrezikuar nga play out kur duhej të ishte krejt ndryshe. Në katër ndeshje që Grima drejton skuadrën, janë marrë 4 pikë. Sigurisht që nuk është faji I tij sepse në këtë moment të sezonit nuk mund të ndryshosh asgjë. Por ajo që u konstatua plotësisht në këto javë të drejtimit të tij është se katër blerjet e janarit ishin vërtetë “skarco”. Kështu Moreno ka kohë që nuk luan dhe Vuk tashmë është jashtë formacionit. Po luajnë dy malazezët Brnoviç dhe Jabllan por ata nuk kanë dhuruar asgjë me lojën e tyre duke qenë një zhgënjim I vërtetë ndonëse të dy sëbashku I kanë kushtuar Vllaznisë për këto 4 muaj të kontratës së tyre plot 37 mijë euro. Në kushte të tilla duhet menduar të evitohet skandali I madh që do ishte shkuarja e skuadrës shkodrane në fazën e play out-it. Në pamje të parë duket e pamundur të ndodhë kështu pasi kuqeblutë do luajnë këtë fundjavë me Dinamon dhe presin në ndeshjen e fundit Shkumbinin në Shkodër. Në letër janë dy sfida të fituara por Vllaznia aktuale ka treguar se nuk di të fitojë lehtë. Për këtë arsye, në rradhët e stafit drejtues të kësaj skuadre duket një angazhim maksimal për të mbyllur çdo gjë që në ndeshjen me Dinamon sepse nëse gjërat lihen për në takimin e fundit me Shkumbinin, çfarëdo mund të ndodhë. E përderisa kampionati ende nuk ka përfunduar as në letër, drejtuesit e klubit shkodran duket se e kanë shtyrë analizën e tij dhe diskutimin për sezonin e ardhshëm. Kjo ndoshta ishte zgjidhja më e mirë e mundshme për këtë Vllazni që po vuan shumë këtë sezon.

Gjergj KOLA