Vetëm një ditë pushim për Vllazninë pas ndeshjes me Partizanin dhe skuadra menjëherë i është kthyer punës dhe përgatitjeve për takimin e rradhës me Flamurtarin. Mesditën e sotme është zhvilluar seanca e parë përgatitore e kësaj jave që si gjithnjë, nis me një analizë të ndeshjes së mëparshme. Kështu ka ndodhur edhe këtë herë teksa trajneri Cungu bashkë me futbollistët kanë analizuar barazimin e arritur ndaj të kuqve. Ashtu siç është shprehur edhe në konferencën për shtyp të pasndeshjes, numri 1 i pankinës shkodrane ka patur vlerësime pozitive për paraqitjen e secilit futbollist megjithatë, gjatë bisedës së zhvilluar kuptohet që janë ndalur edhe në disa gabime të vërejtura dhe që mund të ishin bërë ndryshe në lojë por kjo tashmë nuk mund të kthehet dhe për këtë arsye, do të punohet që ata të mos përsëriten më në të ardhmen.

Analiza e sotme nuk ka zgjatur edhe për atë se kuqeblutë nuk kanë shumë kohë për të humbur. Kjo ngaqë, siç është marrë vesh, ndeshja në Vlorë do të zhvillohet ditën e premte. Ky afrim i ditës së zhvillimit të saj, ka bërë që edhe programi i stafit teknik të kuqebluve të ndryshojë disi duke iu shtrënguar menjëherë punës. Pozitive për Vllaznia duket se është gatishmëria thuajse e të gjithë futbollistëve për këtë ndeshje. Rikthehet nga skualifikimi Bardulla dhe me kartona nuk do të ketë asnjë mungesë të tillë këtë javë. Shqetësim mbetet vetëm gjendja e mesfushorit Krymi që doli i dëmtuar nga ndeshja me Partizanin dhe tashmë po punohet me rikuperimin e tij në mënyrë që edhe ai të jetë i gatshëm për takimin e së premtes.

© shkodrasport.com