Skuadra e Vllaznisë paraditen e djeshme ka zhvilluar një tjetër analizë për ndeshjen e humbur në javën e parë të kampionatit. Ndryshe nga analiza e bërë pak ditë më parë, dje ka qenë rradha e analizës me pamje filmike. Trajneri Canaj është ndalur gjatë tek ky takim dhe gabimet e bëra nga futbollistët e tij. Konkluzioni përfundimtar ka qenë se në këtë ndeshje janë bërë gabime të pafalshme dhe plotësisht të korigjueshme. Ajo çfarë duhet tani patjetër që është riparimi I tyre në mënyrë që në ndeshjen e rradhës, skuadra të paraqitet krejt ndryshe.

 

Analiza
Të parët që kanë mbërritur në zyrat e klubit paraditen e djeshme kanë qenë trajnerët Canaj e Nikaj. Pas tyre kanë mbërritur një e nga një me rradhë të gjithë futbollistët. Pasi janë mbledhur të gjithë, numri 1 I pankinës së Vllaznisë ka qëndruar para një dvd-je dhe një monitori të madh me telekomandën në dorë duke vijuar me shikimin e kasetës së ndeshjes me Flamurtarin. Ndonëse analiza teorike e kësaj humbje ishte bërë më parë, Canaj ka dashur t’ua bëjë të qartë futbollistëve edhe përmes pamjeve filmike se ku kanë gabuar. Ai është ndalur herëpashere duke evidentuar edhe gabimet më të mëdha që kaën bërë futbollistët e tij. Rasti I pësimit të golit kur ka një indiferencë të plotë të tre futbollistëve ndaj Kuqit, autorit të golit në momentin e goditjes së topit, disa raste të tjera po në zonën kuqeblu, për të vazhduar me gabimin e Bacit në rastin e marrjes së kartonit të kuq. Në disa momente, vetë futbollistët kanë shpjeguar mënyrën sesi ata e kanë parë këtë ndeshje dhe pse është vepruar ashtu nga ana e tyre. Analiza që ka zgjatur 90 minuta, u ka vlejtur shumë kuqebluve.
Konkluzionet
Kur ka analizë, sigurisht që ka edhe konkluzione të asaj çfarë diskutohet. Kështu ka ndodhur edhe pas analizës me pamje filmike të ndeshjes me Flamurtarin. Trajneri Canaj ka shpjeguar edhe disa arsyet e dala nga kjo analizë të cilat kanë çuar në humbjen e ndeshjes. “Nga ajo çfarë pamë edhe nga pamjet filmike, janë vërejtur disa gabime të pafalshme. Repartet kanë qenë shumë larg njëri- tjetrit. Lojëtarët e qendrës së mesfushës nuk kanë markuar ashtu siç duhet ndërsa lojtarët e krahëve nuk kanë shtyrë më përpara për të krijuar rrezikshmëri në zonën kundërshtare. Këto dhe disa gjëra tjera të konstatuara, sigurisht që duhet punuar për t’I korigjuar në ndeshjet e ardhshme duke filluar nga ajo e rradhës me Kukësin në transfertë”-ka thënë numri 1 I pankinës kuqeblu. Në këtë mënyrë me ditën e djeshme, Vllaznia I ka dhënë fund analizave të ndeshjes së parë. është nxjerrë përgjegjësia e humbjes, kuptohet pa ndëshkuar fajtorë por të gjithë pjestarët e saj kanë qenë të vetëdijshëm se gabimet kanë qenë të pafalshme dhe janë plotësisht të korigjueshme. Ky optimizëm sigurisht që ndikon për mirë sepse do të rrisë moralin e futbollistëve për ndeshjet në vazhdim.
Gjergj KOLA