Objektivi që në fillim të sezonit ky ka qenë: qëndrimi në Superligë. Dhe sot Vllaznia e ka arritur atë. Ndonëse e kontestuar nga tifozët e saj për humbjen ndaj Teutës megjithatë ky është realiteti. Kuqebluve u duhej patjetër fitorja ose barazimi ndaj durrsakëve në këtë ndeshje të fundit por lajmi i mbërritur në “Loro Boriçi” se Besa nuk kishte shkuar fare për të luajtur në Tiranë, kishte bërë që Vllaznia të ishte automatikisht e shpëtuar nga rënia prej Superligës. Kjo gjë ndikoi më pas edhe në lojën në fushë teksa futbollistët nuk kishin më atë dëshirën për të fituar.
Vendasit e filluan mirë ndeshjen teksa Kruja do të shënonte në minutën e 36-të dhe me këtë gol do të mbyllej pjesa e parë e takimit. Në fillimin e së dytës, Jakupi fillimisht dhe më pas D. Xhafaj do shënonin dy gola të shpejtë. Kjo gjë solli irritimin e tifozërisë shkodrane e cila madje nuk ngurroi të kontestonte mënyrën e të luajturit nga të besuarit e tyre. Edhe zëvendësimet e bëra nuk sollën asgjë tek Vllaznia. Madje, Samb në minutën e 90-të do të shënonte me kokë edhe golin e tretë për Teutën që përfundimisht fitoi 3-1 megjithatë nuk arriti të ngjitej në vendin e katërt në renditje. Sa i takon Vllaznisë, ajo mbyll kësisoj një sezon me shumë probleme por e kënaqur që objektivi u arrit. Sigurisht duke kuptuar se gjërat për sezonin tjetër duhen ndryshuar patjetër në mënyrë që “dramat” të mos përsëritën më për të. Ndeshja e sotme ndërkohë ka qenë e fundit për mesfushorin e Vllaznisë Amarildo Belisha i cili ka vendosur t’i japë lamtumirën karrierës së tij sportive pas 15 vitesh.
© shkodrasport.com