Humbja në Laç ka zhgënjyer të gjithë tifozët shkodranë dhe pa as më të voglin diskutim që shumica e tyre kanë menduar se kjo humbje do të shoqërohej me mbledhje, analiza dhe gjoba për futbollistët. Por në fakt nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kështu. Drejtuesit e klubit dhe ata të stafit teknik janë marrë kryesisht me studimin e situatës së krijuar duke menduar daljen nga ajo dhe motivimin e futbollistëve për ndeshjen e rradhës me Teutën. Sipas asaj çfarë ka vendosur Federata Shqiptare e Futbollit, ajo do të zhvillohet ditën e shtunë në orën 17.30 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, në të njëjtin orar me tre ndeshje të tjera të javës së parafundit të kampionatit. Kuptohet që një pikë ndaj durrsakëve do të qetësonte gjithçka në kampin kuqeblu por problemi është se a do mundet Vllaznia ta marrë atë?
Gjendja psikologjike e futbollistëve kuptohet që nuk është ajo më e mira e mundshme në këto momente dhe për më tepër, Teuta do jetë shumë e motivuar për ta fituar ndeshjen sepse përndryshe do jetë ajo që do t’i thotë lamtumirë Superligës. Në këto rrethana, e vetmja rrugëzgjidhje për shkodranët është ta përgatisin si duhet këtë ndeshje. Pse jo, të sigurohet edhe ndonjë shpërblim për skuadrën apo dhe vënia në dispozicion e disa autobuzëve për tifozët në mënyrë që ata të udhëtojnë drejt Durrësit për ta mbështetur atë. Drejtuesit janë duke u munduar të gjejnë zgjidhjen më të mirë të mundshme që Vllaznia të mos i lërë gjërat për në ndeshjen e fundit me Tiranën por të sigurojë qëndrimin në Superligë që këtë fundjavë. Në këtë mënyrë, situata nuk është ajo më e mirë e mundshme por natyrisht që skuadra ka kapacitetet e duhura për t’i bërë mbylljen e duhur këtij sezoni i cili u mendua se do të ishte ndryshe nga të tjerët, por edhe ai nxorri në pah të njëjtat probleme të kuqebluve.
© shkodrasport.com