Vllaznia e ka lënë me kohë pas fitoren e thellë ndaj Apolonisë dhe tashmë është e fokusuar vetëm tek sfida e rradhës, ajo që do të zhvillojë ditën e shtunë në orën 13.00 në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj Skënderbeut të Korçës.
Do të luajë përballë kundërshtarit të finales së Kupës më 30 maj, megjithatë këtë herë është histori tjetër. Korçarët ndodhen në pozita aspak të mira në renditjen e kampionatit dhe po bëjnë çmos për të shpëtuar nga rënia prej kategorisë. Për këtë arsye, ata do të vijnë në Shkodër për të marrë pikë. Por tek Vllaznia e kanë shumë të qartë këtë gjë.
Trajneri Brdariç dhe pjestarët e stafit të tij janë të fokusuar maksimalisht tek ky takim. Ato po i japin dorën e fundit përgatitjeve dhe çdo gjë tashmë ështe e qartë për mënyrën si do të luhet e po ashtu, edhe për lojtarët që do të zbresin në fushë nga minuta e parë. Edhe për sfidën ndaj Skënderbeut, formacioni kuqeblu do të ketë dy mungesa të sigurta, ato të Imamit dhe Jonuzit që vazhdojnë të jenë të dëmtuar, megjithatë kjo nuk përbën ndonjë problem.
Tek Vllaznia nuk janë ankuar asnjëherë për mungesat dhe kështu do të ndodhë edhe këtë herë. Fokusi i të gjithëve është i përqendruar tek fusha e stërvitjes për ta përgatitur sa më mirë këtë sfidë të rradhës. Kuptohet që Skënderbeu nuk vlerësohet nga pozicioni në renditje, por nga forma që ka treguar në ndeshjet e fundit.
Megjithatë të gjithë janë të bindur se kjo ndeshje duhet fituar. Tashmë nuk ka më kohë për të gabuar sepse kampionati po shkon drejt fundit dhe kuqeblutë duhet të ruajnë hapin e ekipeve të tjera pretendente, për të shpresuar deri në fund tek titulli kampion.