Barazimi i djeshëm i “Vllaznia B” në Librazh ndaj Sopotit mund të konsiderohet surprizë por në fakt nuk ka qenë kështu. Skuadra shkodrane ka bërë një 90 minutësh përgjithësisht të mirë ku lojtarët e saj jo vetëm janë mbrojtur mirë por edhe kanë tentuar herëpashere të godasin portën vendase.
Sipas informacioneve të atyre që e kanë parë këtë ndeshje, në rradhët e kuqebluve kanë spikatur përveç kapitenit Borshi, edhe dy futbollistë të tjerë: Pikërisht numri 18 (Palushani) dhe numri 30 (portieri Hasani).
Ky i fundit ka bërë mrekullinë në disa raste duke shpëtuar portën e tij nga pësimi i golave të sigurtë. Padyshim që ky është një lajm i mirë sepse kujtojmë se Eldi Hasani rikthehet pas disa muajsh mungesë si shkak i dëmtimit që ka patur.
Por tashmë duket se e ka kaluar plotësisht atë dhe po jep kontributin e tij maksimal për ekipin. Nisja që ai i ka bërë fazës së dytë ka qenë e mirë duke arritur dy barazime në dy transfertat e vështira me Partizani B dhe me Sopotin.
Ndërkohë javën e ardhshme, kuqeblutë që drejtohen nga trajneri Altin Xhahysa do të presin në “Reshit Rusi” ekipin e Kukësit B dhe kuptohet që objektivi do të jetë vetëm fitorja.
© shkodrasport.com