Ka arritur të ndalë Mirditën, një nga ekipet pretendente, megjithatë “Vllaznia B” nuk ka shkuar më shumë sesa barazimi 1-1 në ndeshjen e rradhës për kampionat, atë të luajtur pasditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi”.
Ka qenë një përballje shumë interesante sepse miqtë tentonin me çdo kusht fitoren për të qenë sërish në mes ekipeve kryesuese të kampionatit. Dhe në fakt mirditorët e kanë nisur mirë ndeshjen duke kaluar të parët në avantazh.
Ka qenë minuta e 40-të kur Mirdita ka shënuar me anë të Pepkolajt dhe pjesa e parë do të mbyllej me këtë gol. Në fillimin e së dytës, shkodranët të pakënaqur me disavantazhin, janë hedhur në sulm dhe ia kanë dalë të barazojnë.
Ka qenë mesfushori Arber Daija ai që ka arritur ta çojë topin në rrjetë në minutën e 54-të dhe të barazojë shifrat. Pas këtij goli të dy ekipet, duke parë se barazimi nuk iu bënte punë, janë hedhur në sulm për të shënuar edhe golin e fitores.
Në minutat e fundit loja ka qenë shumë interesante. Mirdita në dy momente është shumë pranë golit por lojtarët e saj çuditërisht nxitohen para portës së mbrojtur nga Kristi Qarri. Edhe Vllaznia provon me anë të Rahovës por as ai nuk gjen shënjestrën e duhur.
Kur u duk se gjithçka do të mbyllej kështu, ka ardhur një moment shumë interesant i ndeshjes. Ka qenë minuta e 90-të kur Lekaj ka futur një top nga e djathta për Rrasën që i vetëm me portierin kundërshtar, bën më të vështirën duke e dërguar topin me kokë mbi traversë.
Këtu mbyllet gjithçka, Vllaznia B dhe Mirdita ndajnë nga një pikë dhe në fakt për trajnerin shkodran Fatjon Hasani, ndeshja mund të kishte patur rezultat tjetër nëse lojtarët e tij në momente të caktuara do të të kishin qenë më të saktë para portës.
© shkodrasport.com